Kryebashkiaku Veliaj deklaroi dje se për katër vite, UKT dhe Kompania e Ujësjellësit të Budapestit, “kanë punuar së bashku për të krijuar një vizion rreth zhvillimit teknik të së ardhmes të UKT-së”.
Për këtë, dy kompanitë kanë bërë dhe studimin me titull “Masterplani Afatmesëm i Zhvillimit teknik dhe Strategjik të UKT”, me qëllim përmirësimin e sistemit të furnizimit me ujë në Tiranë.
Ky nuk është rasti i parë në të cilin kryebashkiaku Veliaj, në vend të përmirësimit të shërbimit të UKT-së përmes miremenaxhimit, propagandon përmirësimin e UKT-së përmes bashkëpunimeve me kompani të huaja apo homologe të saj në Europë.
Gjatë mandatit të tij të parë Kryebashkiaku firmosi disa marrëveshje, me të cilat nuk dihet se çfarë ndodhi:
Në nëntor 2015 Kryebashkiaku Veliaj firmosi me bujë dhe reklamoi me të madhe një memorandum Mirëkuptimi me Presidentin e Rajonit të Pulias Michele Emiliano. Ky memorandum parashikonte ekspertizën dhe investimet e ujësjellësit të Pulias në UKT-në e Tiranës.
Kanë kaluar meshume se katër vjet, por përveçse fotografive dhe deklaratave të firmosjes, nuk ka patur asnjë informacion për zbatimin e këtij memorandumi. Nuk dihet nëse u bë ndonjëhere auditimi i UKT-së nga puliezët, a u afrua ndonjëherë ekspertizë prej tyre, a u bë ndonjë investim prej tyre.
Në gusht të vitit 2016, Veliaj shpalli se UKT do të privatizohet, dhe për të kishte oferta nga disa kompani serioze, dhe se me njerën prej tyre, një kompani kineze të paidentifikuar prej tij, ishin bërë hapa konkretë.
Sipas tij, ky interes ishte “një kompliment për punën e UKT-së, [….] që po kuotohet në treg falë perfomancës në rritje edhe arkëtimeve nga qytetarët”.
Që nga ajo kohë as Veliaj dhe askush tjetër nga Bashkia Tiranë nuk është shprehur më për interesin e madh të “kompanive serioze” botërore, as për kompaninë kineze që ishte në diskutime të përparuara me UKT-në dhe as për privatizimin në përgjithësi.
Në nëntor të 2019 qeveria propozoi një ligj që i jep me koncesion shërbimet e ujësjellës kanalizimeve. Qeveria vlerësoi se me këtë ligj do të rregullonte sektorin dhe do ti jepte më tepër mundësi për rastet ku “performanca financiare e ujësjellës-kanalizimeve nuk është e qëndrueshme”.