Propozimet e Kurtit për shtetëzim dhe dështimi i pashmangshëm i utopisë socialiste

Nga Adri Nurellari
Propozimet e Kurtit për shtetëzim dhe dështimi i pashmangshëm i utopisë socialiste

Kryeministri i Kosovës në largim, Albin Kurti para pak ditësh shpalli synimin e tij që të funksionalizojë hapësirat e pashfrytëzueshme të Aeroportit të vjetër të Prishtinës për t’i shndërruar në terminal doganor shtetëror.

Ky është një propozim qesharak ekonomik që synon ta kthejë Kosovën një shekull prapa, në epokën e regjimit komunist dhe ekonomisë shtetërore të centralizuar.  Pra në kushtet kur edhe vendet që janë nën sundimin e partive komuniste, po shkojnë drejtë privatizimit, lideri i Vetëvendosjes propozon shtetëzim në Kosovës.

Sot në botë pretendojnë se janë komuniste vetëm 5 shtete, Kina, Koreja e Veriut, Vietnami, Laosi dhe Kuba e të gjitha këto, me përjashtim të Koresë së Veriut, gradualisht po e pranojnë supremacinë e ekonomisë së tregut duke ndërmarrë procese privatizimi në çdo sektor të ekonomisë.

Ky propozim vjen pas vendimit të marrë nga qeveria e shkarkuar në fillim të prillit për të përjashtuar shërbimet e Telekomit nga procedurat e prokurimit publik duke e rikthyer në monopol shtetëror. Pra një vendim ky kundërkushtetues pasi e kufizon konkurrencën e lirë dhe godet ekonominë e tregut të cilët janë të mbrojtura nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Propozimi i krijimit të ndërmarrjeve në pronësi shtetërore në shekullin 21 përbëjnë një anakronizëm të jashtëzakonshëm dhe dëshmon për një njohje qesharake të ekonomisë dhe historisë së njerëzimit. Kosova duhet të mësojë jo vetëm nga dështimi i komunizmit në Shqipëri dhe vuajtjet e bashkombasve por edhe nga shumë vendet të tjera të cilat kanë hequr dorë nga komunizmi.

85 shtete në 5 kontinente e kanë provuar ekonominë komuniste, e kanë pësuar sepse kanë parë që sjell robëri dhe mjerim dhe mandej e kanë braktisur.  Për rrjedhojë është absurde që liderë politik sot të ushqejnë akoma iluzione e bëjnë propozime komuniste të cilat prodhojnë vetëm robëri e varfëri.

Së pari, vendosja e ekonomisë së planifikuar dhe kontrolluar në mënyrë kapilare nga shtetit dhe shoqërisë qendrore të planifikuar, e kërkuar nga ideologjia socialiste, kërkonte në mënyrë të pashmangshme një përqendrim të madh të pushtetit.

Kuptohet, sikurse thotë lordi Akton, pushteti korrupton, pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute, dhe idetë qëllim-mira të marksizmit u degraduan brenda një kohë të shkurtër.

Pra për ta bërë socializmin të funksiononte, planifikuesit e qeverisë duhej të kishin autoritetin të drejtonin prodhimin dhe shpërndarjen e pothuajse të gjitha mallrave të prodhuara nga shoqëria. Për më tepër kërkohej përqëndrimin e të gjitha burimeve në dorë të planifikimit të centralizuar të nomeklaturës komuniste. Për komunistët ishte e domosdoshme që njerëzit të detyroheshin që të hiqnin dorë nga puna dhe prona e tyre private dhe të bënin punën që kërkonte shteti.

Për pasojë, procesi i shtetëzimit që zhduku pronën private u shoqërua me vrasje, dhunë, presion, kërcënim dhe u pasua nga një zi buke. Fshatarët u detyruan të hiqnin dorë nga toka dhe bagëtitë e tyre dhe u futën në rrugën drejt bujkrobërisë. Pra në Shqipëri fermerët iu nënshtruan një forme të re të robërisë duke i burgosur në kooperativa apo ndërmarrje bujqësore duke i privuar nga liria e lëvizjes. Kuptohet që këto tentativa për të eleminuar liritë themelore të qytetarëve dhe për t’i zhveshur tërësisht nga prona private hasi në rezistencë që u mposht në mënyrë mizore.

Mizoritë e komunizmit nuk u kufizuan vetëm në vrasje masive të kundërshtarëve politik, eleminimet e klaneve të brendshme partiake apo burgosje e internim të atyre që dilnin nga rreshti apo kishin biografinë e gabuar. Edhe që kishin mjaftueshëm fat sa mos të bëheshin pjesë e të përndjekurve politikë, gjithësesi iu nënshtruan një shtypjeje të rëndë, duke përfshirë shkeljet e lirisë, të fjalës, lirinë e fesë, lirinë e lëvizjes, të drejtën mbi pronën e shumë të drejta të tjera thelbësore të njeriut pa të cilën jeta nuk ka shumë vlerë. Madje sot mund të thuhet që në njerëzimi në historinë e tij nuk ka njohur asnjëherë tirani më të egër që të ketë kërkuar një kontroll kaq të total mbi pothuajse çdo aspekt të jetës së njerëzve.

Së dyti, marksistët dhe neomarksistët premtojnë një shoqëri utopike duke ushqyer iluzioznin se nëpërmjet socializmit klasa punëtore do të gëzonte prosperitet të paparë dhe në realitet ata shkaktuan varfëri ekstreme. Unë ende mbaj mend të freskët një fëmijëri të kaluara në radha para dyqaneve të zbrazura ushqimore ku përdornim bona për të marrë atë pak racion ushqim mbijetese që kishte planifikuar shteti komunist për ne.

Prandaj kudo ku shtetet komuniste dhe jokomuniste ekzistonin në afërsi, përdorej censura për të mos parë atë që ndodhte në oborin kapitalist të komshiut e ndërtoheshin mure e kufij vdekjeprurës për të penguar njerëzit  që të largoheshin drejt shoqërive të ekonomisë së lirë që ofronin me mundësi më të mëdha.

Kjo ndodhte mes Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Jugosllavisë e Greqisë por edhe mes dy Gjermanive gjatë Luftës së Ftohtë. Muri i Berlinit u ndërtua në 1961 pikërisht sepse prej vitit 1945, nga Gjermania Lindore ishin larguar drejt perëndimit 3 454 000 qytetarë ose që përbënin 20% të atij RDGJ-së gjatë asaj kohe.

Përveç absolutizmit të terrorit shtetëror, sistemi komunist ekonomik sjell në mënyrë të pashmangshme dështim ekonomik e varfëri sepse njerëzit nuk kanë pasur stimuj që të japin maksimumin. Këtë motivim ta jep vetëm prona dhe puna private. Iluzioni socialist bazohej mbi moton “ të gjithë të punonin sipas mundësive e të përfitonin vetëm sipas nevojave”.

Kuptohet që me këtë logjike jo-meritokratike shumica e njerëzve u përpoqën që të bënin sa më pak punë për shtetin se ashtu kështu të gjithë i kishin përfitimet të njëjta të barabarta.  Për rrjedhojë parulla kryesore që mbiztoëronte në Shqipërinë komuniste gjatë viteve 80-të ka qenë “ shteti bën sikur na paguan dhe ne bëjmë sikur punojmë “. Madje shumë qytetarë filluan tia dedikonin energjitë dhe potencialet e tyre të vërteta për të shitur e blerë në tregjet e zeza që lulëzuan kudo në shtetet komuniste.

Pashmangshmërinë e dështimit të sistemit komunist të planit e shpjegon më së miri nobelisti im i preferuar, Friedrich Hayek kur flet edhe për një tjetër element të rëndësishëm ekonomik, informacionin.

Pavarësisht qëllimit të mirë që mund të kenë organet shtetërore socialiste të planifikimit të centralizuar për të siguruar begati për vendin e mirëqënie për qytetarin, ata nuk kishin informacionin e duhur për të marrë vendime.

Hayek shpjegon se është sistemi i çmimeve në një ekonomi të lirë të tregut ai që bën të mundur transmetimin e informacionit jetësor për prodhuesit dhe konsumatorët. Falë çmimeve të tregut të lirë prodhuesit mund të mësojnë vlerën relative të mallrave dhe shërbimeve të ndryshme si dhe mund të përcaktojnë se sa i vlerësojnë konsumatorët produktet e tyre.

Në kuadër të planifikimit qendror socialist, nuk ka asnjë zëvendësim të kësaj njohuri jetësore. Me pak fjalë planifikuesit socialistë, në të shumtën e rasteve nuk kishin asnjë mënyrë për të ditur se çfarë të prodhonin, me çfarë metodash apo me çfarë sasishë.  Kjo mangësi ka qenë një ndër arsyet kryesore përse  pse shtetet komuniste shumë dendur ballafaqoheshin me mungesa të mallrave themelorë, ndërsa kishin tepri të mallrave për të cilat kishte pak kërkesë

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>