Protesta kundër shkatërrimit të banesave, zhduket Kryebashkiaku Veliaj

Protesta kundër shkatërrimit të banesave, zhduket Kryebashkiaku Veliaj

Pesë institucione publike u bashkuan, sot, në një dalje publike për të bindur banorët e zonës së Unazës së Re në Tiranë se shkatërrimi i pronave dhe banesave të tyre është diçka pozitive. Prej disa ditësh, qindra qytetarë që kanë shtëpitë dhe bizneset e tyre në rrugën nga Pallati me Shigjeta deri tek Sheshi Shqiponja kanë kundërshtuar këtë plan përmes protestave në rrugë, të cilat arritën kulmin mesditën e së dielës së shkuar, me bllokimin e rrugës ku do shtrihet projekti.

Një ditë pas protestës, drejtues të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Hipotekës, ALUIZNI-t dhe Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik dolën para mediave për të shpjeguar qëllimin e projektit dhe angazhimin e tyre për përmirësimin e jetës së banorëve, përfshi të atyre që do të mbeten pa shtëpi.

I vetmi autoritet publik që mungonte, në këtë dalje publike, ishte Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj. Ai kishte vendosur të përfaqësohej nga zëvendësi i tij, Arbjan Mazniku, duke shmangur përballjen e drejtpërdrejtë me shqetësimin jetik të mijëra banorëve të Tiranës, të cilëve nuk u është zgjidhur as strehimi dhe as e drejta e sipërmarrjes.

Erion Veliaj, i cili në çdo kronikë mediatike të parafabrikuar shfaqet si njeriu i punës, që mendon e punon pa u lodhur për qytetarët e Tiranës, ka vendosur të mos përballet me shqetësimin e vërtetë të mijëra qytetarëve.

Pak muaj para zgjedhjeve lokale, ndërsa pret që të rikandidohet nga Edi Rama për një mandat të dytë, Veliaj po synon të shmangë sa më shumë përplasjet shoqërore.

Projekti i përfundimit të Unazës së Madhe, ku përfshihet edhe zgjerimi i segmentit nga Pallati me Shigjeta deri tek Sheshi Shqiponja, është një nga premtimet më të mëdha të Veliajt, megjithëse ai projekt ishte filluar dhe zbatuar në një pjesë të madhe nga paraardhësi i tij Lulzim Basha.

Erion Veliaj, si kryebashkiak, kishte për detyrë vetëm që të gjente zgjidhjet më të mira për banorët që do të shpronësoheshin në gjurmën ku është parashikuar të kalojë ky projekt gjigand.

Por, siç ka rezultuar deri më tani, Veliaj ka dështuar në dy raste të mëparshme për të gjetur mirëkuptimin dhe zgjidhjen për banorët e Tiranës. Fillimisht, përplasje pati me banorët e Shkozës. Por numri i të prekurve nga kalimi i Unazës së Madhe në atë zonë ishte i vogël dhe bashkia e Veliajt e menaxhoi me lehtësi. Më pas, konflikti vijoi në zonën e Selitën, ku përballë fuqisë së bashkisë ishin disa familje rome, të cilat gjithashtu u thyen lehtësisht.

Në këto dy raste të mëparshme, Veliaj u doli vetë në ballë punëve, ndryshe nga rasti i tretë, ky i protestës së fundit në Unazën e Re. Në këtë zonë banojnë disa dhjetra mijëra banorë, të cilët kanë ndërtuar jetën dhe biznesin e tyre të përditshëm. Kjo zonë është një “bombë elektorale” për Erion Veliajn, e tillë, që, edhe nëse kandidohet, mund t’i shkaktojë humbjen në zgjedhjet e ardhshme lokale të qershorit 2019.

Ndaj, ai ka zgjedhur që, të paktën në momentin e parë, t’i shmanget protestës së banorëve të Unazës së Re, me shpresën që intensiteti i reagimit qytetar do të zbutet.

 


Ky artikull u publikua më parë tek BoldNews.al

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>