Kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla ka kërkuar që PD të njohë zgjedhjet e 25 Prillit.
Në një intervistë për Ora News, ai u shpreh të shtunën se pret “nga PD në mënyrë të veçantë që të thotë që sot që pranon rezultatin e 25 prillit”.
“7 ligje të cilat edhe pse në këndvështrimin tim nuk kanë qenë të nevojshme, por kanë qenë çështje të një alibie të opozitës jashtëparlamentare e cila duhet tu hiqet. Pra nga sot e tutje, mirëpres nga opozita jashtëparlamentare dhe nga PD në mënyrë të veçantë që të thotë që sot që pranon rezultatin e 25 prillit. Sepse kemi bërë gjithçka që ata kanë kërkuar”, tha Balla.
Ai tha se Reforma zgjedhore sipas opinionit final të Komisionit të Venecias është një reformë e cila ka mundësuar adresimin e të gjitha çështjeve të dakordësuara në marrëveshjen e 5 qershorit.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla tha të enjten në Kuvend, duke iu referuar presidentit Meta dhe konfliktitit që Parlamenti pati me atë, se Venecia i dha të drejtë mazhorancës për ndryshimet kushtetuese.
Më 14 dhjetor, Komisioni i Venecias dhe ODIHR shprehën keqardhje për miratimin e nxituar të ndryshimeve në kushtetuese dhe kodit zgjedhor por shtuan se përmbajtja e tyre nuk bie ndesh me standardet ndërkombëtare.
Opinioni i Venecias u kërkua nga Presidenti Ilir Meta dhe u bazua në një shkëmbim mendimesh midis Komisionit, Metës, ODIHR dhe deputetes Bushka dhe “nuk duhet të konsiderohet si një përmbledhje gjithëpërfshirëse e kornizës zgjedhore të vendit. Deklarata vuri në dukje se fokusi i Komisionit ishte përputhshmëria e ndryshimeve me standardet ndërkombëtare.
Në muajin korrik, Kuvendi miratoi një pjesë të rëndësishme të reformës zgjedhore, përmes ndryshimit të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor.