Partia Socialiste do të ankimojë në Kolegjin Zgjedhor vendimin e KAS për listën e kandidatëve të PD.
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), në KQZ hodhi poshtë të martën vendimin Komisionerit Shtetëror për uljen e numrit të kandidatëve për deputet në listat e PD-së. KAS vendosi të lejojë të 222 kandidatët në listën e PD, dukë mbështetur kërkesën e PD.
PD ankimoi vendimin e KQZ-së për heqjen e 78 kandidatëve për deputet më 18 mars. PD e quajti vendimin të padrejtë, sepse ligji zgjedhor nuk përcakton kufi për numrin e kandidatëve në listë.
Përfaqësuesi i PS-se në KQZ, Eridian Salianji theksoi se “Shpejtësia e karrocës s’ka të bëjë me nr. e kuajve, por me cilësinë dhe mënyrën e vendosjes”.
Ndërsa Ivi Kaso, përfaqësuesi i PD-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve akuzoi shumicën socialiste për ndryshim të rregullave të garimit në zgjedhje, në mënyrë të njëanshme.
“Vendimi i sotëm i Komisionit të Apelimit konfirmoi qëndrimin e drejtë të PD për listën e përfaqësimit në zgjedhjet politike të 25 Prillit”, tha ai.