Pse nuk është dita për Vetvendosjen

Nga Ermal Mulosmani
Pse nuk është dita për Vetvendosjen

Një nga gjërat më interesante që ka rezultuar nga zgjedhjet politike në Kosovë, qysh prej fillimit të tyre e deri në këto të fundit, është ndarja e votuesve në 3-4 pjesë pothuaj të barabarta. Askush nuk u lejua, asnjëherë, të bëhej “timonier” mendjemadh që flet për “vullnet popullor”apo verdikt të padiskutueshëm. Gjithmonë kemi pasur fitues relativë.

Trupa elektorale e Kosovës lëviz ndërmjet 700 – 900 mijë votuesish (rreth këtyre shifrave ka qenë pjesëmarrja në votime prej 2004 e në vijim). Duke hequr votuesit joshqiptarë dhe votat e pavlefshme, zakonisht, vota për partitë shqiptare varion mes 600 -750 mijë votues ose më pak se 40% e popullsisë së Kosovës.

Në rastin e fundit, afër 750 mijë vota numëruan subjektet shqiptare në tërësi. Dhe ky është rezultati më i mirë si numër absolut votash, historik, në Kosovë. Ky numër i dedikohet kryesisht një vullneti për të përkrahur Lëvizjen Vetvendosje!, sidomos ndër shqiptarët që jetojnë jashtë Kosove. Por jo vetëm atyre.

Partia më e votuar, si rezultat i këtij vullneti, doli VV me 221,000 vota. Vetvendosje! prej kohësh kishte fokusuar vetëm LDK-në si mundësi për partneritet në rast të domosdoshmërisë së ndarjes së pushtetit me një Parti tjetër. Albin Kurti kishte dhe ka vënë vija të kuqe me të gjitha subjektet e tjera të Kosovës që, konkretisht janë tri forca politike të dala nga UÇK-ja. Përjashtimi i “luftëtarëve” nga çdo mundësi ndarjeje pushteti me ta, e çoi Albin Kurtin, liderin e VV, në prehrin e Isa Mustafës, një ish komunist, pragmatist që e njeh mirë fuqinë e tij të votës. Sidomos kur dikush e ka zgjedhje të vetme. Në këtë rast Mustafa ka arritë të marrë edhe Kryeministrin siç ishte rasti i 2017-ës.

Në Kosovë sikurse në një farë mase edhe në Shqipëri, ideologjia është sekondare. Partitë politike, atje dhe këtu, nuk kanë një traditë historike të pozicionimit në një spektër politik. Në vitet 90, lufta e guerileve të Kosovës filloi me fotografinë e Enver Hoxhës në xhep. Një ndër akuzat ndaj UÇK-së ka qenë që udhëhiqet nga enveristë ekstremë. Të njëjtat akuza sot ia atribuojnë edhe Lëvizjes VV si lëvizje marksiste, majtiste, e dhunshme. Në anën tjetër është LDK-ja, një trashëgimi e ish komunistëve të ish Jugosllavisë, sigurisht edhe kjo e majtë.

Pra, në Kosovë ka kryesisht të majtë që akuzojnë njëri-tjetrin për majtizëm të theksuar. Ideologjia pra, nuk është shkak për vija të kuqe. Vijat e kuqe më së shumti përdoren për arsye korrupsioni ose keqqeverisjeje.

Për shembull, Albin Kurti ishte në koalicion me LDK-në, AAK-në dhe Fatmir Limajn në rastin e VLAN-it pesë vjet më parë. Por, përdori “vizën e kuqe” (një eufemizëm për pamundësi koalicioni me dikë) ndaj Ramushit dhe Limajt paçka se koalicionin tradhtar, atëkohë e pat bërë Isa Mustafa. Mbamendja nuk shkon aq gjatë. Prej dy vitesh Isa është në të njëjtën barrikadë me Albinin ndërsa Ramushi me Limajn sapo kanë dalë nga “krevati” me kundërshtarin më të madh të LVV, Hashim Thaçi. Duke u vënë viza të kuqe atyre, duket sikur VV është e ardhmja tjetër, vizioni i kundërt i korrupsionit dhe nënshtrimit ndaj Serbisë. Një dalldi idealiste tërhoqi në votim numrin më të madh të votuesve që kishte pa ndonjëherë Kosova.

“Vijat e kuqe” që vizatoi Albin Kurti i dhanë atij rezultatin më të mirë zgjedhor përkundër ndarjes prej tij të një grupi mjaft të spikatur brenda Lëvizjes. Të gjithë shqiptarët e Kosovës u lëshuan nga ishin e nga nuk ishin dhe i dhanë mbështetje Vetvendosje-s. Rezultati që doli ishte deri diku entuziast.

Mirëpo negociatat po rezultojnë të vështira. Pikërisht ato “viza të kuqe” që i dhanë rezultaitn e mirë, sot po i bëjnë të efektin e kundërt. LDK ka pothuaj aq deputetë sa VV. Kërkesat rriten. Fuqia e Kryeministrit të ri në Ministrat e LDK-së do jetë shumë i kufizuar. Konkretisht do të jenë dy Qeveri, njëra e VV me Kryeministër Albinin tjetra e LDK-së me Kryeministër Isën. Si shqiponja në flamurin tonë, me dy krena. Kjo nuk është sigurisht ajo për të cilën Vetvendosje i mori votat. Vullneti i votuesve të Albin Kurtit ishte një Qeveri me atë Kryeministër për të ballafaquar idetë e tij, programin me realitetin. Përderisa kjo gjë nuk u arrit, atëherë, Albin Kurti duhet të tërhiqet nga e drejta ligjore. Le ta bëjnë të tjerët Qeverinë edhe këtë radhë.

Një vëzhgues pak i vëmendshëm i jetës politike në Kosovë mund të konstatojë një qetësi dhe mirëkuptim absolut mes kundërshtarëve të Albin Kurtit. Edhe Kadri Veseli, edhe Ramushi, edhe Limaj, madje edhe vetë Isa Mustafa në një deklaratë tmerrësisht pa sens deklaroi: “Ne jemi gati që t’ia japim votat Albin Kurtit, le t’a bëjë Qeverinë vetëm”. Mjafton ky “mirëkuptim” nga të gjithë kundërshtarët për të kuptuar që politikanët e Kosovës e kanë në dorë Albin Kurtin. Kurrë nuk ka qenë më e pëlqyeshme qënia në Opozitë. Thaçi, Mustafa, Veseli, Haradinaj e Limaj kanë marrë kokoshkat dhe pijet e janë ulur para televizorit ku shfaqet filmi i Albin Kurtit. Por ata e kanë në dorë telekomandën.

Një arsye krejt e mjaftueshme që Vetvendosje! ta refuzojë mandatin. Deri sa të vijë dita! Është shumë e vështirë që në rast të zgjedhjeve të reja VV të përsërisë të njëjtin rezultat lëre pastaj për ta përmirësuar atë. Por më keq se rreziku i dështimit në zgjedhjet eventuale është dështimi i sigurtë në qeverisje.

Për të bërë Qeverinë, Vetvendosje! duhet të marrë mbi 300 mijë vota. Në këtë rast, ajo do të ketë pushtetin e duhur, nuk do të shantazhohet dot nga askush dhe mund të qeverisë edhe me koalicion. Por me një koalicion që ka një Kryeministër jo dy. Në atë kohë mund të shtrohet edhe versioni i Kurtit, sipas të cilit, deputetë të caktuar nga kampi kundërshtar do ta votojnë Qeverinë e VV. Por deri atëherë është rrugë e gjatë.

 

Botuar fillimisht në Gazetën Ekspres.

The post Pse nuk është dita për Vetvendosjen appeared first on

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme