Kryebashkiaku Veliaj deklaroi, para nisjes në Sri Lanka, se 1 260 punonjës të Bashkisë janë në terren për të përballuar situatën e përmbytjeve nga shiu në Tiranë. Njoftimi shoqërohej me disa foto nga puna e tyre konkrete nëpër qytet.
Por duke parë fotot kupton se në fakt 1 260 punonjësit ata janë thjesht numër, por jo një forcë punëtore e aftë për të përballuar situata të tilla.
Pa asnjë lloj pajisje, pa veshje të përshtatshme profesionale, në dukje pa përvojë praktike, ata shfaqen në këto foto më të shqetësuar se mos lagen vetë se sa për të punuar me urgjencë dhe energji për zhbllokimin e rrugëve të përmbytura.
Është ironike që, ndërsa pajisjet që përdor bashkia Tiranë për koncertet e saj janë fjala e fundit e teknologjisë, teknologjia që ajo ka për shërbimet publike që ofron duket e shekullit të 19-të. Kjo gjendje ngre pikëpyetje serioze mbi prioritetin e investimeve të Bashkisë që duket se investon më shumë për koncerte e shfaqje se sa për modernizimin e shërbimeve të saj.