Qeveria Rama nuk ndërton qendër shëndetësore për naftëtarët e sëmurë të Ballshit, pasi naftëtarët punojnë në një rafineri private. Këtë justifikim përdori kryeministri Rama përpara naftëtarëve të Ballshit që kërkuan ndërtimin e qendrës shëndetësore në Ballsh ose në Fier.
“Punonjësit e uzinës së Ballshit janë të ngarkuar nga ana shëndetësore me karbon në gjak. 120 shokët tanë pa dalë në pension kanë kaluar në ndjekje shëndetësore. Para disa ditësh kur udhëtonim për Tiranë kemi varrosur shokun tonë 60 vjeç. A mund të ngrihet një qendër shëndetësore në Ballsh ose në Fier? ” — iu drejtuan sot naftëtarët kryeministrit.
Por, Kryeministri Rama kërkesave të tyre ju përgjigj përciptazi, duke i hedhur fajin qeverisë Berisha e cila privatizoi ARMO-n:
“Unë jam plotësisht me ju, pra qendrat shëndetësore, nënstacionet elektrike, uji, është e pakuptueshme se si u futën në atë privatizim kriminal dhe sot janë pjesë e problemit.”
Por justifikimi i Kryeministrit është i pavend, pasi qendrat shëndetësore duhet të jenë të pranishme në çdo qytet, komunë e fshat të vendit, pavarësisht se pranë mund të kenë kompani të privatizuara.
Madje vetë Kryeministri premtoi në tetor të 2017, gjatë inagurimit të qendrës shëndetësore në Kamëz se qeveria “do të rindërtojë 300 qendra shëndetësore për 4 vitet e ardhshme”.
Por, mesa duket kërkesat e naftëtarëve të Ballshit dhe aksidentet e shumta që kanë ndodhur në Ballsh që prej vitit 2016, nuk kanë ndikuar që Qeveria Rama të fusë në planet e saj ndërtimin e një qendre shëndetësore që i përgjigjet nevojave të naftëtarëve.
Pak muaj më parë, në shtator 2017, naftëtarët i dërguan dhe një letër apeli Qeverisë Rama për kushtet e vështira të punës, pa siguri teknike dhe pa mjek.