Pas Unionit të Këshillave Studentorë, edhe Qendresa Qytetare i ka kërkuar Ministrisë së Arsimit të shtyjë zgjedhjet në universitet, të parashikuara në datën 12 qershor, deri sa studentët të rikthehen në auditore.
Përmes një kërkese zyrtare për Komisionin Parlamentar të Edukimit, organizata kërkon seancë dëgjimore me Ministren e Arsimit Besa Shahini për të parashtruar të gjithë argumentet se përse zhvillimi i zgjedhjeve më 12 qershor është i paligjshëm.
Sipas tyre, zhvillimi i zgjedhjeve më 12 qershor, kur vendi është në gjendje të katkeqësisë natyrorë të paktën deri më 23 qershor, bie në kundërshtim më nenin 38 të Rregullores për organizimin e zgjedhjeve, i cili parashikon:
“Zgjedhjet mund të anullohen në rast se:
b) kanë ndodhur fatkeqësi natyrore në përmasa të atilla, që kanë penguar pjesëmarrjen e zgjedhësve në votim.”
Po ashtu, zhvillimi i zgjedhjeve më 12 qershor pengon mbi 60 për qind të studentëve të zgjidhen në strukturat e reja të universiteteve dhe të zgjedhin drejtuesit e rinj të universiteteve.
Në datën 26 Mars (3 ditë pasi qeveria shpalli gjendjen e fatkeqësisë natyrore), Ministrja e Arsimit Besa Shahini caktoi 12 Qershorin si datën e zgjedhjeve për drejtuesit e universiteteve publike.
Në të njëjtën ditë, në media qarkulloi një vendim i Komisionit Institucional të Zgjedhjeve (KIZ) pranë Universitetit të Tiranës, i cili kishte vendosur shpalljen e regjistrimit të kandidatëve për “Rektor” dhe “Anëtar Senati”.
Exit në një artikull të mëparshëm, argumentoi se zgjedhjet për universitet në këtë periudhë janë të paligjshme.