Qeveria ka marrë mbi €1,1 miliardë borxh dhe ndihma që nga fillimi i vitit 2020. Ndërkohë, ka dhënë vetëm rreth €110 milionë për të ndihmuar qytetarët dhe bizneset të përballojnë vështirësitë e shkaktuara nga kriza e Koronavirusit.
Në janar qeveria mori borxh nga publiku shqiptar në euro, jo në lekë kur shiti bono thesari për rreth €115 milionë.
Në Prill, FMN dha €174 milion hua për mbështetje buxhetore në përballimin e krizës së koronavirusit.
Komisioni Europian fillimisht dhuroi €50 milionë ndihmë për krizën Covid. Më pas KE dha edhe €180 milionë hua për përballimin e situatës.
Në muajin qershor, qeveria mori €650 milionë borxh përmes lëshimit të një eurobondi.
Ajo ka marrë gjithashtu ndihma në natyrë, përfshi aparatura dhe pajisje mjekësore, ilaçe dhe veçanërisht materiale për testimin e popullsisë nga Covid. Ndihmat u dhuruan nga BE, SHBA, Zvicra, Suedia dhe një sërë vendesh të tjera, dhe vlera e tyre arrin në dhjetëra milionë euro.
Duhet theksuar se të gjitha testimet e përdorura nga qeveria kanë qenë të dhuruara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, ndërsa reagentët kimikë dhe të verifikimit të tyre janë dhënë falas nga Bashkimi Europian.
Në total e gjthë ndihma dhe boxhi i marrë nga qeveria që prej fillimit të vitit – vetëm për përballimin e Koronavirusit dhe pa përfshirë fondet për rindërtimin pas tërmetit – arrin në jo më pak se €1,1 miliardë, ose afërsisht sa një e katërta e buxhetit vjetor të Shqipërisë.
Në anën tjetër, që nga muaji mars kur vendi filloi mbylljen, qeveria ka dhënë vetëm €110 milionë për qytetarët dhe bizneset për të përballuar krizën.
Rreth 65 mijë persona, sipërmarrës apo të punësuar të biznesve të vogla, të mbetur pa punë për shkak të mbylljes me urdhër nga qeveria, kanë marrë secili nga tre pagesa prej 24 mijë lekësh (rreth €200) në muajt muajt mars, prill dhe maj. Totali i paguar nga qeveria për ta është rreth €39 milionë.
166 mijë qytetarë të tjerë të pushuar nga puna apo të mbetur pa punë, kryesisht ish punonjës të bizneseve të mëdha, kanë përfituar një pagesë të vetme prej 40 mijë lekësh (afërsisht €320) si ndihmë për gjithë periudhën e mbylljes (mars – prill – maj – qershor). Në total, për këtë kategori janë paguar rreth €53 milionë nga qeveria.
Ndërkohë ajo ka shpenzuar rreth €15 milionë të tjera për pagesat shtesë të papunësisë dhe ndihmës ekonomike, si dhe ndihmë për familjet në nevojë.
Në total, qeveria ka harxhuar direkt nga buxheti i shtetit rreth €110 milionë euro për të gjitha shpenzimet e lidhura me përballimin e krizës së koronavirusit.
Kjo shumë është vetëm 10 për qind e totalit të borxhit dhe ndihmës që qeveria ka marrë për përballimin e kësaj krize.
Ndërkohë, nevojat për financim janë të mëdha si për mijëra qyetarë të mbetur pa asnjë të ardhur ashtu edhe për mijëra biznese që kanë nevojë për likudiet dhe investime që të rimëkëmben.
Ky është rezultati i një politikë dritëshkurtër nga qeveria, e cila po tregohet kursimtare në një moment kur duhet të shpenzojë, si e vetmja mënyrë për të rimëkëmbur ekonominë dhe ruajtur mirqëqenien e familjeve shqiptare.