Qeveria dëbon 2 diplomatë iranianë

Nga Exit News
Qeveria dëbon 2 diplomatë iranianë

Qeveria njoftoi sot se ka dëbuar 2 diplomatë të ambasadës iraniane me arsyen se me veprimtarinë e tyre kanë shkelur statusin dhe konventat ndërkombëtare.

Lajmi u njoftua nga Ministri Gent Cakaj, i cili shkroi në Facebook:

“Ministria […] e Jashtme ka vendosur sot, që përfaqësuesit diplomatikë të Ambasadës [iraniane] z. Mohammad Ali Arz Peimanemati dhe z. Seyed Ahmad Hosseini Alast, të shpallen persona të padëshirueshëm, për shkak të zhvillimit të veprimtarisë në mospërputhje me statusin e tyre dhe parimet e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike. Dy përfaqësuesëve të Republikës Islamike të Iranit ju është kërkuar largimi i menjëhershëm nga territori i Shqipërisë.”

Mediat raportuan se Seyed Ahmed Hosseini Alast është atashe kulturor, ndërsa Mohamed Peimanemati është këshilltar i Ambasadës.

Dyshohet se dy diplomatët kanë cenuar sigurinë duke u vepruar për qëllime të gardës revolucionare të Iranit. Për këtë ata janë urdhëruar të largohen nga Shqipëria brenda 72 orësh.

Në dhjetor të vitit 2018, qeveria shpalli si persona të padëshiruar, ambasadorin Gholamhossein Mohammadnia dhe sekretarin Mostafa Roudaki. Asokohe Ministri i Jashtëm i Iranit deklaroi se dëbimi i dy zyrtarëve ishte “fabrikuar nga SHBA-të dhe Izraeli”.

Më herët ishin ndaluar dy shtetas iraniane që dyshoheshin se do kryenin sulm terrorist gjatë ndeshjes Shqipëri-Izrael në vitin 2016. Sulmet e mundshme lidheshin edhe me faktin që në Shqipëri ka një kamp organizata Mojahedin-e-Khalq (MEK) – kundërshtare e regjimit të Teheranit, e konsideruar, deri pak vitesh, organizatë terroriste nga shumica e vendeve perëndimore.

Rreth 3 mijë anëtarë të MEK-ut u transferuan nga Iraku në Manëz të Durrësit. Kryeministri Rama pranoi pak ditë më parë se strehimi i këtij grupi në Shqipëri ishte rrezik për sigurinë. Deklaratat u bënë pas kërcënimeve nga Udhëheqësi fetar i Iranit Ayatollah Ali Khamenei.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>