Kryeministri Rama pohoi, të mërkurën pasdite, se deri në momentin që po fliste ishin bërë rreth 52 mijë pagesa të rrogë së luftës prej 26 mijë lekë (rreth €208).
Rama deklaroi se deri të premten do të kryheshin edhe 8 mijë verefikimet e fundit për numrin total të rreth 60 mijë pagesave që do të paguhen nga paketa e parë e qeverisë.
Po të mërrkurën, Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve Delina Ibrahimaj dha një numër më të saktë të 52 350 rroga të paguara për persona të punësuar në rreth 30 mijë biznese të vogla. Ibrahimaj konfirmoi gjithashtu se në datën 18 prill ishte mbyllur afati për aplikimet për paketën e parë të ndihmës, dhe nga 61 mijë biznese që aplikuan ishin pranuar rreth gjysma e tyre.
Të enjten, gjatë një fjale në Kuvend, Ministri Ahmetaj pohoi sërish të njejtën shifër prej 52 mijë persona që kanë marrë pagën e luftës.
Kjo shifër e dhënë nga tre zyrtarët më të lartë të qeverisë, i korrespondon një totali prej rreth 10,8 milionë euro të disbursuara.
Të premten, ishte Partia Demokratike që konfirmoi të njejtën shifër disbursimi—fillimisht ish-deputetja Jorida Tabaku dhe pastaj kryedemokrati Lulzim Basha konfirmuan përmes të dhënave të Open Data Albania për pagesat e thesarit deri ditën e enjte, se ishin disbursuar €10,8 milionë për pagesën e rrogave për punonjësit.
Shifrat e qeverisë dhe PD-së përputhen: janë €10,8 milionë të paguara për rroga deri të enjten.
Por nëse Rama dhe Ahmetaj e quajtën këtë nivel pagesash përmbushje të premtimit të qeverisë, opozita e akuzoi se qeveria ka dështuar duke lënë punonjësit pa pagesat e premtuara.
Si qëndron e vërteta?
Pagesat që janë paguar deri tani janë nga paketa e parë, e cila parashikon tre rroga nga 26 mijë lekë për rreth 60 560 të punësuar dhe vetëpunësuar të biznesit të vogël në aktivitete të mbyllara me urdhër qeverie.
52 mijë pagat e paguara, të pranuara nga të dyja palët, janë sa rreth 86 për qind e atyre të premtuara për muajin prill. Me këtë ritëm duket se qeveria do të arrijë ta shpërndajë brenda muajit pagën e prillit sikurse pohoi Rama në deklaratën referuar më sipër.
Por qeveria nuk ka filluar ende shpërndarjen e paketës së dytë të ndihmës, e cila parashikon një pagesë të vetme për tre muaj (prill-qershor) për rreth 176 mijë punonjës, nga të cilët 100 mijë punonjës të biznesit të vogël, rreth 10 mijë punonjës të turizmit dhe rreth 66 mijë punonjës të bizneseve të mëdha.
Sipas procedurës së qeverisë, për këtë pagesë duhet të aplikojnë punëdhënësit, që cilët duhet të paraqesin një sërë dokumentash për t’u miratuar. Për këtë arsye, vështirë që këta punojës të marrin pagesën edhe për disa javë, çfarë justifikon pretendimin e opozitës që disbursimet janë ende në nivele të ulta.
Sidoqoftë, problem kryesori në këtë histori është se qeveria ka afruar një mbështetje minimale, ndërkohë që qindra mijëra punonjës kanë humbur të paktën rrogën e disa muajve, ndërsa një pjesë mund të mos kenë gjasa të kthehen më në punët e mëparshme.