Qeveria dhe politika, kërcënuesit më të mëdhenj të medias

Qeveria dhe politika, kërcënuesit më të mëdhenj të medias

Qeveria dhe politika janë kërcënimi më i madh për lirinë e shprehjes dhe punën e gazetarëve në Shqipëri. Këto janë përfundimet e studimit për panoramën e medias në Shqipëri, mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri dhe Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi (IDRA).

Në studim i jepet një fokus i veçantë sfidave me të cilat ballafaqohen gazetarët, me qëllim për të kuptuar peizazhin mediatik në vend. Disa prej tyre janë ndërhyrjet e qeverisë, politikës dhe biznesit, pavarësia editoriale, siguria e punës, vërtetësia e lajmeve, profesionalizmi i gazetarëve dhe liria e medias në përgjithësi.

Për studimin, u kryen 800 intervista, u zhvilluan shtatë fokus-grupe me gazetarë dhe u bënë 20 intervista me redaktorë mediash, analistë dhe pronarë mediash.

Megjithëse rreth 25 për qind e të anketuarve kanë punuar si gazetarë për 6 deri në 10 vjet dhe 37 për qind për 11 deri në 20 vjet, vetëm 29 për qind prej tyre kanë një diplomë universitare Bachelor. 15 për qind kanë diplomë universitare katër vjeçare dhe 8 për qind kanë diplomë të shkollës së mesme. Pothuajse gjysma e gazetarëve nuk kanë kualifikime formale në gazetari.

Një në tre prej të intervistuarve u shprehën se nuk do të këshillonin një të ri të zgjedhin gazetarinë si karrierën e tyre, për shkak të nivelit të ulët të pagesave dhe kushteve të papërshtatshme të punës. Për të mbështetur këtë, 17 për qind e gazetarëve deklaruan se nuk kanë asnjë lloj kontrate pune me punëdhënësin, një shifër që shkon deri në 31 për qind tek gazetarët që punojnë jashtë Tiranës. 30 për qind e të intervistuarve deklaruan se megjithëse ata kanë një kontratë, ata nuk ndihen të mbrojtur nga ajo.

Arsyet kryesore që përmendën të intervistuarit për ndryshimin e vendeve të punës ishin mosmarrëveshjet me pronarin e medias, vonesat me pagesat dhe kushtet e punës. Gjysma e të anketuarve besojnë se ata nuk janë paguar në mënyrë të drejtë për punën e tyre.

Sa i përket cilësisë së punës që ata bëjnë, kur u pyetën se si do ta vlerësonin nivelin e profesionalizmit të gazetarëve në Shqipëri nga 1-10, rezultati mesatar ishte 5.8, duke treguar kështu “mungesë të konsideratës pozitive për profesionalizmin në gazetari, nga vetë gazetarët”.

Më shumë se gjysma e të anketuarve thanë se kanë marrë urdhra nga pronari i medias për lajme të caktuara dhe 78 për qind besojnë se disa gazetarë janë të përfshirë në praktika korruptive siç janë marrja e parave ose përfitime të tjera për të krijuar lajme të caktuara.

Shumica e gazetarëve në Shqipëri besojnë se pothuajse të gjithë gazetarët, ose shumica prej tyre shpesh vetë-censurohen gjatë punës. Lajmet shpesh “shtyhen” ose “vonohen” për shkak të presionit nga qeveria, partitë politike dhe bizneseve të ndryshme. Më shumë se një e treta e gazetarëve deklaruan se ishin nën presion nga redaktorët e tyre që të mos shkruanin për një ngjarje ose temë të veçantë. 38 për qind deklaruan se ishin nën presion nga pronari i medias për të cilën punojnë. Përveç kësaj, mbi gjysma e tyre thanë se puna e tyre ishte rishkruar nga redaktori ose pronari i medias dhe një e treat e tyre thanë se artikujt e tyre ishin hequr nga botimi apoishin fshirë pa i njoftuar ata paraprakisht.

Kur u pyetën nëse “gazetarët dhunohen verbalisht ose psikologjikisht gjatë ushtrimit të detyrës”, rezultatet janë”alarmante”. 65 për qind e tyre – shifër kjo tronditëse,- beson se gazetarët abuzohen verbalisht ose psikologjikisht, ndërsa 19 për qind besojnë se ata janë “plotësisht të abuzuar”. Më shumë se një e treat e të intervistuarve pranuan se ata vetë kanë qenë të abuzuar verbalisht ose fizikisht gjatë punës së tyre.

Sa i përket lirisë së fjalës, presionit dhe ndërhyrjeve tek gazetarët dhe puna e tyre, 61 për qind e ndërhyrjes vjen nga qeveria, ndërsa vetëcensurimi dhe korrupsioni kanë më pak ndikim. Gazetarët e përshkruajnë politikën si pengesën kryesore për lirinë e fjalës në Shqipëri dhe shumica e gazetarëve deklarojnë se varen drejtpërdrejti nga drejtimi politik i medias ku punojnë.

Më shumë se një e katërta e të anketuarve besojnë se ligji shqiptar nuk i mbron në mënyrën e duhur të drejtat e njeriut dhe vunë në dukje se dhuna verbale dhe fizike është një “problem serioz në punën e tyre”, madje 21 për qind e tyre besojnë se gazetaret kanë më shumë gjasa të jenë në shënjestër të dhunës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>