Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar të premten masat e reja kundër përhapjes së COVID-19.
Në kuadër të këtyre masave, komunat janë sërish të ndara në tri zona sipas rrezikshmërisë së përhapjes së koronavirusit, raporton Klan Kosova.
Në zonat me rrezikshmëri të ulët dhe të mesëm operatorët ekonomikë, qendrat tregtare dhe restorantet do të punojnë nga ora 05:00 deri në 22:00.
Pas orës 22:00, restorantet do të kenë mundësi të punojnë vetëm për porosi që dërgohen në shtëpi.
Banorët e komunave në zonat me rrezikshmëri të ulët dhe të mesme nuk kanë kufizim të orarit të lëvizjes.
Në zonat me rrezikshmëri të lartë qytetarët do të lëvizin nga ora 05:00 e mëngjesit deri në ora 21:30 të mbrëmjes, në këtë orar do të zhvillohet puna edhe operatorëve ekonomik dhe të bareve e restoranteve dhe qendrave tregtare.
Po ashtu janë ndryshuar edhe masat për aktivitetet publike, ku në hapësira të mbyllura ndalohet grumbullimi i qytetarëve në numër prej më shumë se 30 personave, ndërsa në sheshe publike, parqe, vende publike, qendra rekreative dimërore dhe të ngjashme, lejohet grumbullimi deri në 50 persona.
Personave mbi moshën 65-vjeçare u lejohet dalja nga shtëpia vetëm gjatë orarit 6:00 – 10:00 dhe 16:00 – 19:00.