Shqipëria i ka kërkuar Bankës Botërore të paktën 16,2 milionë dollarë borxh për testimin masiv të popullsisë për Covid-19 dhe përmirësimin e sistemit të gjurmimit epidemiologjik.
Sipas Revistës Monitor, qeveria shqiptare i ka paraqitur Bankës Botërore një projekt për menaxhimin e situatës së Covid-19 në vend, i cili ka një kosto të paktën prej 16,2 milionë dollarësh.
Ky propozim do të diskutohet në mbledhjen e radhës së Bankës Botërore në 12 qershor. Nëse miratohet, institucioni huamarrës do të jetë Ministria e Financave dhe Ekonomisë, kurse ministria zbatuese do të jetë ajo e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Projekti ka për qëllim që Shqipëria të mos humbë gjatë hapjes avantazhet që siguroi me masat kufizuese kundër Covid-19.
Ai parashikon:
- testim të gjerë të popullatës (përfshirë testimin serologjik më të ri);
- forcimin e mbikëqyrjes dhe gjurmimit të kontaktit;
- planfikimin e duhur të masave për distancim fizik dhe masave të tjera parandaluese (duke diferencuar me kujdes sipas rajonit, sektorit ekonomik, moshës, apo statusit shëndetësor);
- zgjerimi i kapaciteteve në spitale për trajtimin e rasteve të rënda;
- ruajtja e shëndetit të stafit mjekësor;
- përmirësimi i komunikimit me publikun, si dhe aktorët e tjerë kryesorë.