Qeveria ka krijuar sot një organ këshillimor për të ndihmuar ministren e Arsimit në përcaktimin e politikave në arsim dhe shkencë.
Përveç këshilltarëve të kabinetit të saj, tani ministrja Evis Kushi do të këshillohet edhe nga Këshilli e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor (KALKSH).
Në të bëjnë pjesë 12 shkencëtarë, puna e të cilëve do të drejtohet nga vetë ministrja. Ata do të këshillojnë ministren për të gjitha politikat në arsim dhe shkencë.
Deri më tani, emrat e 12 shkencëtarëve nuk janë bërë ende publike.
Lajmin e dha sot ministrja Kushi në mediat sociale pas një takimi me shkencëtarët e KALKSH-it.
Ajo shtoi se këshilli do të ndihmojë në zbatimin e premtimeve të qeverisë për studentët.
Premtimet u përfshin në “Pakti për Universitetin” i cili u propozua në dhjetor 2018, pas protestave të studentëve, si zgjidhje e qeverisë ndaj kërkesave të tyre.
Studentët e kundërshtuan paktin, me pretendimin se ai nuk zgjidh kërkesat e tyre.