Qeveria nuk ka përfshirë në listën e bizneseve që përfitojnë ndihmë ekonomike për shkak të prekjes nga koronavirusi, operatorët turistikë, agjensitë turistike apo biznese të tjera të turizmit.
Pavarësisht se turizmi goditet direkt nga masat ndaluese të tanishme dhe do të jetë sektori që do të vuajë më shumë pasojat pas kalimit të pandemisë, qeveria nuk ka asnjë plan deri më tani për mbështetjen e tij.
Pak ditë më parë, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) tha se goditja kryesore ekonomike e koronavirusit në Shqipëri do të jetë në sektorin e turizimit.
FMN nuk jep vlerësime sa mund të jetë efekti negativ në ekonomi i rënies së turizmit, por shprehet se rënia e turizmit nuk do të kompensohet dot nga aktiviteti ekonomik i rindërtimit, dhe si rezultat ekonomia do rritet më ngadalë se parashikimi në vitin 2020.
Në vitin 2019, turizmi përbënte 21,2 për qind të prodhimit vjetor vendas (PBB) dhe kishte 254 300 të punësuar, afërsisht sa 22,2 për qind e punësimit total në vend.
Qeveria ka vendosur të ndihmojë financiarisht vetëm ato biznese që janë mbyllur me vendim qeverie.
Sipas vendimit të miratuar me 29 mars, bizneset e mbyllura me urdhër qeveritar përfitojnë pagën minimale, dhe u shtyhet pagesa e qirasë për muajin prill dhe maj.
Qeveria ka premtuar se bizneset të cilat e kanë mbyllur aktivitetin si pasojë e koronavirusit, por nuk janë të përfshirë në listën e Ministrisë së Shëndetësisë, do të përfshihen në një paketë të dytë.
Do jetë një hap pozoitiv nëse në ketë paketë do të përfshihet turizimi, i cili sidoqoftë ka nevojë për një program mbështetës të posaçëm si sektor më vete.