Komisioni i Ligjeve kufizoi burimet njerëzore dhe financiare në dispoziocion të institucioneve të verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Një ditë më parë, Komisioni i Ligjeve miratoi organikën me 110 punonjësve për organet e Vettingut, nga 185 persona që ishte kërkuar nga vetë institucionet.
Organika e re, e miratuar vetëm me votat e PS-së, parashikon 50 punonjës nga 65 që ishin kërkuar për Komisionin e Kualifikimit, 26 punonjës nga 53 që ishin kërkuar për Komisionerët Publikë dhe 37 punonjës nga 68 që ishin kërkuar për Kolegjin e Apelimit.
Dy partitë opozitare PD dhe LSI kanë kundërshtuar vendimin e deputëve socialistë. Deputeti Eduard Halimi deklaroi:
“Mosvënia në dispozicion e stafit të mjaftueshëm për organet e Vettingut përbën kërcënim ndaj veprimtarisë tepër të rëndësishme të tyre. I bëjmë thirrje mazhorancës që të reflektojë deri ditën e enjte.”
Kryetarët e institucioneve të vettingut shprehën shqetësimin për shurtimin e numrit të punonjësve pasi parashikimet janë që volumi i punës në muajt në vazhdim do të jetë ilartë.
Kryetari i opozitës Basha sot i bëri thirrje Qeverisë Rama të mos sabotojë punën e instucioneve të verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Vendimi i Komisionit të Ligjeve do të kalohet për votim ditën e enjte në Kuvend.