Qeveria miratoi sot, 18 nentor vendimin për rimbursimin 100 për qind të qytetarëve për paketën bazë të ilaçeve kundër Covid-19.
Sipas vendimit të qeverisë rimbursimin do ta përfitojnë të gjithë qytetarët pavarësisht nëse janë ose jo të siguruar. Kosto e rimbursimit do të shkojë në 1,2 miliardë lekë. Qeveria ka përllogaritur se kosto e trajtimit sipas skemës 1 ëshët 1690 lekë, ndërsa për skemën 2 është 10 900 lek.
Prej disa ditësh, kryeministri ka premtuar rimbursimin e medikamenteve për pacientët me Covid-19 që po kurohen në shtëpi.
Nuk dihet ende lista e plotë e barnave të rimbursueshëm, por sipas mjekes Jonida Diko, drejtoresha e Qendrës Shëndetësore nr.10, ka të paktën dy skema ilaçesh që mund të rimbursohen:
“Në stadin e parë ose në formën e lehtë medikamentet ose elementët trajtues që përdoren janë vitamina C, vitamina D, elementi Zink dhe paracetamoli. Kjo futet te skema e parë tek forma e lehtë.
Tek skema e dytë trajtimi bëhet me vitaminë C, vitaminë D me elementin Zink, me paracetamolin 500 mg dhe nëse ka temperaturë persistente, ka dhe shenja respiratore, mjeku i familjes vlerëson gjendjen e tij dhe mund t’i vendosë dhe antibiotikë, Azitromicinën 500 mg.”