Qeveria njoftoi të premten hapjen e garës ndërkombëtare për hartimin e projektin inxhinierik të Tunelit të Llogarasë,
Projekti i ndërtimit të Tunelit të Llogarasë do të financohet nga qeveria.
Lajmin e njoftoi kryeministri Rama në prezantimin e planeve të qeverisë, të premten paradite:
“Janë bërë analizat, për parametrat e nevojshëm që lidhen me fizibilitetin, janë ezauruar dhe rrugët e mundshme të realizimit me investime të huaja apo PPP dhe është rënë në fund në konkluzionin se rruga më e mirë është që ky projekt të udhëhiqet dhe të çohet në fund nga qeveria dhe të financohet nga buxheti i shtetit.”
Ndërsa ndërtimi i tunelit do të jetë faza e dytë dhe sipas Ramës, do të ndërtohet ‘nga kompani vendase që kanë eksperiencën për ndërtimin e veprave komplekse’.
Tuneli 6 kilometra i gjatë pritet që të shkurtojë aksin Orikum – Palasë në vetëm 10 minuta rrugë.
Kryeministri theksoi se ndërtimi i tunelit pritet të ketë efekt pozitiv tek turizmi, pasi do të jetë shumë afër dhe me aeroportin e Vlorës.
Qeveria ka miratuar më 10 qershor kalimin e një fondi prej 1, 3 milionë euro Ministrisë së Infrastrukturës, për rishikimin e studimit të fizibilitetit për projektin e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë. Ndërtimi i tunelit, sipas qeverisë parashikohet të kushtojë 6,3 milionë euro.