Qeveria do të kalojë rreth 50 milionë euro të parashikuara në buxhetin e 2020 tek fondi për rindërtimin e ndërtesave të rrëzuara nga tërmeti. Zoti Rama tha se në buxhetin e vitit të ardhshëm nuk do të ketë asnjë projekt të ri, por do të përfundohen vetëm ato projekte që janë nisur. Ai këmbënguli se rishikimet nuk do të kërcënojnë qëndrueshmërinë e ekonomisë. Në këtë pikë ai tha se:
“[…] në vitin e ardhshëm nuk do të blihet asnjë makinë, nuk do të pajisjet asnjë zyrë, nga ato që kanë qenë rutina dhe do të bllokohen blerjet e makinave, dollapëve, koltuqeve, TV-ve në të gjithë bashkitë e vendit. Kush do të jetë keq për makinë të gjejë një kalë edhe nuk ka problem, kryetar bashkishë me kuaj do të ishin një inovacion ekologjik. Edhe sidomos kryetarët e njëzive administrative do të ishin të mirëseardhur në komunitet.”
Kryeministri Rama tha se do të ndërtohen tre lagje të reja për të prekurit nga tërmeti në Tiranë, Durrës dhe Laç. Këto lagje ai i quajti si “lagjet e rilindjes”.
Në mbledhjen që Kryeministri Rama zhvilloi sot me qeverinë, e cila ishte e 6-ta që pas tërmetit të 26 nëntorit, ai mori këto vendime:
- ndërtimi i tre lagjeve të reja për të prekurit në Tiranë, Durrës dhe Laç
- rishikimi i buxhetit
- vendosja e 0.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në dispozicion të fondit për rindërtimin
Zoti Rama theksoi se transparenca duhet të jetë kryesore në investimet që do të bëhen, teksa tha se lagjet që do të ndërtohen do të jenë lagjet e rilindjes:
“[…] ju lutem kjo është e domosdoshme për transparencën, kush do që të dijë se cfarë po shpenzohet mjafton të klikojë dhe të shikojë cdo lek të shpenzuar. Në pranverë duhet të jemi në kantier në lagjen e re të Durrësit, në Tiranë kur të zgjedhim nëse do të jenë dy apo një lagje”.
Lagjet për Tiranën, Kryeministri tha se po shqyrtohen të ndërtohen, “pranë Kasharit, në Kombinat, apo te Uzina e Autotraktorëve në Shkozë”.