Basha, qeveria të ndryshojë qasje, të shumfishojë testet për Covid-19

Nga Exit News
Basha, qeveria të ndryshojë qasje, të shumfishojë testet për Covid-19

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi të premten se kishte informacione se në Shqipëri nuk po testohen njerëz me simptoma të koronavirusit. Ai u shpreh se qeveria duhet të ndryshojë qasje në mënyrë që numri i të prekurve dhe viktimave që raportohet të mos jetë iluzion.

Në një intervistë për Abc News, Kryetari i PD-së u shpreh me dyshime rreth numrit të testimeve të kryera në Shqipëri në krahasim me Maqedoninë e Veriut.

“Shumica e ekspertëve bien dakord se kjo që shohim në shifra zyrtarë është maja e ajzbergut. Duhet të mobilizohet çdo resurs i domosdoshëm në Shqipëri.”

Në Maqedoni të Veriut deri të premten ishin testuar mbi 4 500 qytetarë ndërsa në Shqipëri 2031.

Basha theksoi se pak testime do të thotë periudhë më e gjatë karantine, sepse “nuk do ta dimë se ku është dhe çfarë përmasash ka infeksioni”.

Kryetari i PD-së pranoi se testimi masiv, edhe i personave që nuk kanë simptoma është i pamundur.

Por, ai theksoi se duhet të testohen medoemos personat e dyshuar.

“[…] informacionet që na kanë ardhur, në zona të veçanta numri i testeve është kaq i pakët saqë, nëse çon 4 tamponë në një bashki, nuk po e përmend në cilën, çfarë do të bësh me 4 tamponë?

Dhe shikoni se çfarë ndodhi. Në Shkodër u testuan 15 persona dhe dolën 12 të infektuar. Kjo duhet të ishte kambanë alarmi.

Prandaj urgjentisht duhet ndryshuar menjëherë përqasja e deritanishme, e cila mund të na japë një iluzion që kemi një numër më të vogël të infektuarish, por është vetëm një iluzion.

[…] gjithë kjo sakrificë do të shkojë kot dhe gjithë kjo mbyllje në shtëpi, karantinimi, izolimi, distancimi social do të shkojë kot, në qoftë se nuk bëjmë testime masive.”

Basha foli më tej për vendimin e qeverisë për të shtyrë pagesat e qirave. Ai e konsideroi antikushtetuese, ndërsa tha se qeveria duhet të bënte si Kosova, e cila ka ndarë 12 milionë euro për të subvnecionuar qiratë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>