Qeveria ka vendosur të blejë mbi 50 pajisje të reja respiratore për trajtimin intensiv të të sëmurëve me COVID-19. Minsitria e Shëndetësisë me një procedure urgjente të prokurimit të drejtpërdrejtë, ka bërë kërkesë publike për oferta. Fondi maksimal i tenderit është rreth 120 milionë lekë ose afërsisht 1 milionë euro.
Pajisjet respiratore kryejnë frymëmarrje të detyruar, pra furnizimin direk të mushkërisë me oksigjen përmes tubave që futen në rruget e frymëmarrjes , të të sëmurëve që nuk janë në gjendje të marrin frymë vetë.
Një pajisje e tillë kushton, sipas markës, nga rreth 15 mijë euro deri në rreth 20 mijë euro. Me fondin e dhënë, qeveria mund të sigurojë afërsisht 50-65 pajisje respiratore.
Një javë më parë qeveria ka siguruar rreth 40 pajisje të tilla në Gjermani, të cilat nuk kanë mbërritur ende në Shqipëri.
Aktualisht në Shqiperi ka rreth 160 pajisje respiratore, nga të cilat rreth 130 janë në spitalet publike të vendit.
Me blerjet e fundit qeveria pothuajse do e dyfishojë kapacitetin e pajisjeve respiratore në spitalet publike.