Qeveria, tjetër metodë për tjetërsimin e pronës publike—Në përdorim përjetësisht OJF-ve

Nga Megi Ndregjoni
Qeveria, tjetër metodë për tjetërsimin e pronës publike—Në përdorim përjetësisht OJF-ve

Qeveria ka vendosur të lejojë praktikisht tjetërsimin e pronave shtetërore në favor të organizatave jofitimprurëse.

Një nga hapësirat që krijon projektligji “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, i miratuar së fundmi dhe i kaluar për miratim Kuvendit, është dhënia në përdorim i pronave publike organizatave jofitimprurëse pa asnjë kufizim kohor për aq kohë sa ekziston organizata, pra praktikisht përjetësisht, nëse në të investohen mbi 5 milionë euro.

Projektligji shprehet se prona e paluajtshme të shtetit, të cilat vendosen në dispozicion të ojf-ve “do të përdoren për aq kohë sa subjekti privat jofitimprurës ekziston, destinacioni i përdorimit dhe zhvillimit të pronës nuk ndryshon dhe kur në pronë është kryer investim mbi 5 milionë euro.”

Ligji aktual “Për Pronat Publike” ja njeh të drejtën qeverisë që të transferojë administrimin e një prone drejt një organi tjetër shtetëror, i cili mund të administrojë më mirë atë.

Ky ndryshim i jep të drejtën institucionit shtetëror të tjetërsojë pronën publike drejt një organizate jofitimprurëse pa asnjë kriter.

Për më tepër, veprimtaria e ojf-ve është një sektor mjaft problematik pa transparencë dhe pa kontroll.

Shumica e tyre nuk publikojnë statutin, aktivitetet e tyre mujore apo vjetore si dhe raportet financiare vjetore.

Në një hulumtim të bërë në faqet zyrtare të disa prej organizatave më të rëndësishme në vend, vihet re mungesa e bërjes publike të raporteve vjetore financiare të tyre, mënyrën e shpenzimeve, donacionet e fondet që ato marrin etj.

Nga ana tjetër OJF-të nuk kanë kapacitete ekonomike të pavarura, përveç fondeve dhe donacioneve të ndryshme.

Një tjetër argument kundër projektligjit është mungesa e kritereve në lidhje me OJF-të që do të përfitojnë nga ky parashikim. Kriteri i vetëm i përcaktuar është investimi në vlerën 5 milionë euro në pronën publike.

Kjo lë hapësirë për shumë abuzime në lidhje me përzgjedhjen e organizatave që do të përdorin një pronë publike.

Në të kaluarën ka patur raste kur OJF-të e angazhuara për restaurimin e objekteve historike kanë dështuar për të realizuar qëllimin e tyre.  Një nga rastet më flagrante është Hamami në Durrës apo shtëpitë në Gjirokastër.

Në maj të këtij viti, Forumi për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore denoncoi se restaurimi i këtyre objekteve  nga tërmeti i 26 nëntorit po bëhet nga organizatat jofitimprurëse që nuk kanë eksperiencën e duhur dhe restaurimi i tyre nuk përkon fare me origjinalin.

Deri tani kemi informacion se projektet janë hartuar nga ekspertë që nuk kanë licensë për monumentet antiko-mesjetare dhe procedurat e ndjekura janë në shkelje të plotë ligjore”, shprehet Forumi në një deklaratë

Projektligj gjithashtu cenon parimin e pavarësisë dhe tërësisë së territorit shqiptar, pasi mundëson që një pronë publike të përdoret pa afat nga një organizate të huaj.

Dispozita e mësipërme përcakton se çdo organizatë mund të marrë pjesë duke lënë lë të hapur pjesëmarrjen e një organizate të huaj.

Kështu prona publike mund t’i kalohet pa pengesë në përdorim pa afat pronën publike një organizate të huaj.

Një nga parimet kryesore të parashikuara në Kushtetutë është pavarësia dhe tërësia e territorit të Shqipërisë. Kjo do të thotë që tokat në pronësi të shtetit shqiptar, duhet të administrohen nga ky i fundit.

Gjithashtu ligji ja ka lënë Këshillit të Ministrave të drejtën për të përdorur pronën publike dhe në rast pamundësie tja kalojë një organi tjetër shtetëror.

Me ndryshimin e ligjit, jo vetëm që s’do jetë një ent shtetëror ai që do të  përdorë pronën, por do të jetë një subjekt privat madje dhe i huaj.

Së fundmi, vlen të theksohet se projektligji nuk ka parashikuar asnjë mekanizëm kontrolli të qeverisë mbi këto organizata në lidhje me administrimin e tyre.

Kjo e bën edhe më problematike situatën, pasi mungesa e mekanizmave të kontrollit lë hapësirë për abuzime dhe mungesë llogaridhënie për punën e bërë nga organizatat.

Kjo duket të jetë një tjetër mekanizëm i qeverisë për të transferuar pronat publike drejt privatit.

Exit ka listuar në një artikull të mëparshëm të gjitha nismat ligjore të qeverisë që kanë një synim:

Tjetërsimin e pronës private e publike drejt kompanive afër qeverisë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>