Qeveria vazhdon shembjen e pallateve në Kombinat, pavarësisht kundërshtisë së banorëve

Nga Exit News
Qeveria vazhdon shembjen e pallateve në Kombinat, pavarësisht kundërshtisë së banorëve

Qeveria ka vendosur të shëmbë 67 pallate në zonën e Kombinatit për t’i hapur rrugë projektit të vjetër të Bashkisë të planifikuar në 2018 në masterplanin “TR2030”. Pallatet do të shemben pavarësisht protestave të qytetarëve dhe vendimit të Gjykatës Administrative për mos shembjen e pallateve.

Për ndërtimin e pallateve të reja, Bashkia e Tiranës do të paguajë 61,1 milionë euro.

Në truallin e liruar do të ndërtohen ndërtesa 4-5 katëshe me sipërfaqe totale ndërtimi rreth 1,5 milionë metra katrorë ku do të mund të strehohen mbi 21 mijë banorë, një qendër tregtare e tipit të Pazarit të Ri, dy muze dhe Universiteti i Arkitekturës.

Të parat në ndërtimet e reja do të strehohen rreth 2292 familje që jetonin në Kombinat, shtëpitë e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit. Ky grup familjesh do të zërë vetëm një të tretën e totalit të apartamenteve. Ndërsa pjesa tjetër do të shiten tek qytetarët e tjerë.

Ende nuk janë bërë publike detajet e kësaj pjese, si do të shiten apartamentet dhe cili institucion apo kompani do ta menaxhojë këtë pjesë.

Çfarë parashikon masterplani Tirana 2030 dhe dokumenti strategjik i Bashkisë Tiranë:

Zona e Kombinatit është një ndër pesë projektet e parashikuara në Masterplanin Tirana 2030 për rizhvillim, sëbashku me Farkën, Kamzën, Laprakën, dhe Misto Mamem.

Dokumenti strategjik i Bashkisë Tiranë, për vitin 2019-2022 parashikon krijimin e “Polit të Kombinatit”, ku do të përfshihet “BID Kombinat, një partneritet publik privat për një mjedis fizik të përmirësuar dhe më shumë mundësi biznesi (modeli Pazari Ri)”.

Masterplani specifikon se bashkia do të tenderojë zhvillimin e zonës dhe kompanitë private mund të përfitojnë bonuse ndërtimi, në varësi të cilësisë së projektit të paraqitur.

Rizhvillimi i pallateve të vjetra apo shtëpive private do kryhet falë një bashkëpunimi mes bashkisë dhe ndërtuesve. Do të jetë bashkia që do krijojë kushtet për lehtësimin e kalimit të pronës nga banorët e vjetër te ndërtuesit.

Dhe mungesa e mekanizmave të domosdoshëm të kontrollit nga bashkia lë hapësirë për abuzime.

Ndryshimet ligjore dhe VKM-të e miratuar që i hapin rrugën projektit të privatizimit të zonës së Kombinatit

Më 16 dhjetor 2019, qeveria miratoi aktin normativ, për rregullimin e procesit të rindërtimit të objekteve të dëmtuara nga tërmeti. Në të cilësohet se bashkitë ose qeveria kanë të drejtën të përcaktojnë “kushtet për zhvillim të detyruar, si dhe zhvillimin e zonave të reja.”

Po ashtu ato kanë të drejtën të vendosin për “prishjen e ndërtesave dhe zhvillimin e territorit ku ndodhen […] si rezultat i dëmtimit të tyre nga ngjarja e fatkeqësisë natyrore që rrezikon jetën e banorëve dhe zhvillimin e zonës në përputhje me planin e detyruar vendor”.

“Prishja e detyruar” e ndërtesave të dëmtuara nga autoritet, sipas aktit ligjor bëhet kur:

“[…] ndërtesa është dëmtuar nga fatkeqësia natyrore dhe nuk mund të riparohet ose kur përbën rrezik për jetën, sipas përfundimeve në aktkonstatime apo aktvlerësime […] si dhe nëse riparimi kushton më shumë se ndërtimi nga e para […] edhe pa pëlqimin e pronarëve”.

Më 24 dhjetor 2019, qeveria miratoi VKM-në për procedurën e hartimit dhe miratimit të planit vendor dhe lejes së zhvillimit nga Bashkia.

VKM-ja e 24 dhjetorit parashikon që pasi qeveria të shpallë një zonë të re për zhvillim, bashkitë të hartojnë brenda 30 ditësh planin e detyruar vendor (PDV). Ky plan më pas i paraqitet “për njohje” Këshillit Kombëtar të Territorit, organ kolegjial ky i qeverisë dhe që kryesohet nga Kryeministri.

Me 30 janar 2020, Parlamenti miratoi ndryshimet në ligjin për kontrollin e ndërtesave, sipas të cilit qeveria do të kontrollojë ndërtesat e ndërtuara më shumë se 50 vite më parë – Neni 4 (1). Më 31 janar, qeveria shpalli Kombinatin, zonë për zhvillim dhe i dha të drejtën Bashkisë Tiranë për:

a) ndërtimin e banesave të reja ose të ndërtesave publike të dëmtuara;
b) ndërtimin e rikonstruksionin e infrastrukturës publike dhe kritike;
c) realizimin e ndërtimeve në këtë zonë;
ç) çdo ndërhyrje tjetër në funksion të rindërtimit të kësaj zone.

Kështu, ndërthurja e projektit të rizhvillimit të zonës së Kombinatit dhe programit të rindërtimit pas tërmetit mund të krijojë hapësira për abuzim nëse bashkia e Tiranës nuk zbaton saktësisht ligjet e transparencës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>