Qytetarët do të paguajnë më shumë taksa në vitin 2016

Qeveria ka miratuar paketën fiskale për vitin e ardhshëm. Sipas paketës së re, qytetarët do të pagujnë më shumë për makinat, për pronat e paluajtëshme, për sigurimin e tyre dhe për fjetjen në hotel.

Për makinat me fuqi motorike mbi tre mijë kubike, qytetarët do të paguajnë më shumë taksa në vitin 2016. Projektligji i miratuar nga qeveria, parashikon që për këto automjete do të paguhet një takse fillestare regjistrimi prej 70 mijë lekësh dhe një taksë e përvitshme prej 21 mijë lekësh.

Qeveria, gjithashtu, do të rrisë dhe taksat e siguracionit të makinës dhe pronës me shtatë pikë përqindje. Në paketën e re fiskale, parashikohet që këto taksa, nga tre përqind që janë aktualisht, të rriten  në dhjetë përqind, pra rreth tre herë më të larta.

Ndryshime janë parashikuar dhe tek taksat mbi pasurinë e paluajtëshme. Kështu, taksa vjetore për ndërtesën do të jetë nga 5 lekë për metër katror në zonat rurale deri në 400 lekë për metër katror në qytet.

Shtohet gjithashtu dhe taksa për truallin. Sipas Ministrisë së Financave, taksa do të variojë nga 1400 lekë për hektarë në bashkitë e kategorisë së katërt, si Tropoja apo Kukësi, deri në 5600 lekë për hektarë në bashkitë e kategorisë së parë, si Tirana e Durrësi.

Tjetër taksë që ndryshon është ajo e fjetjes në hotel. Nga fillimi i vitit 2016, për fjetjen në hotel do të paguhet 140 lekë për shtrat për një natë. Deri më tani, taksa që paguhej ishte deri në 5% të pagesës për fjetje.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>