Kanali 3 i Radio Televizionit Italian (RAI3) konfirmoi sot se të dhënat mbi kultivimin e kanabisit, të publikuara në emisionin e lajmeve të 27 janarit, janë të vërteta.
Në edicionin e orës 19:00 të lajmeve, folësja Monica Giandotti tha:
“Në emisionin e mëparshëm [27 janar] ne folëm për numrat e larta të kultivimit të kanabisit në Shqipëri, shifra të cilat u përgënjeshtruan nga policia shqiptare. Por që në ndryshim nga viti i kaluar nuk ka publikuar shifra. Ne i konfirmojmë të dhënat e paraqitura në emisionin e kaluar, në bazë të burimeve tona”.
Dje, Kryeministri Rama tha se autoritetet italiane i kanë përgënjeshtruar të dhënat e publikuara nga Radio-Televizioni Italian RAI3 se kultivimi i marijuanës në Shqipëri është 12-fishuar.
Kryeministri Rama publikoi pjesë nga qendrimi zyrtar i autoriteteve italiane ku shkruhet:
“Është sqaruar një kronikë e dhënë nga Tg3 në datën 27 janar 2020, ku flitej për një raport të rezervuar të policisë për rritjen e kultivimit të kanabisit në territorin shqiptar.
Autoritetet kanë specifikuar që lajmet e bëra publike nga stacioni televiziv TG 3 nuk korrespondojnë me të dhënat reale dhe nuk mund të hedhin hije për efikasitetin real të kontrastit në lidhje me kultivimin e kanabisit dhe rezultatet e rëndësishme të arritura gjatë viteve të fundit.”
Më 27 janar, RAI3 publikoi një reportazh të shkurtër për kultivimin e marijuanës në Shqipëri, të quajtur “Kufiri i Evropës”.
Në reportazh theksohet se sipas një raporti sekret të policisë italiane, të lexuar nga RAI3, kultivimi i marjuanës në Shqipëri është rritur me 1200 përqind, në krahasim me vitin e kaluar.
Reportazhi u bë nga gazetari italian Valerio Cataldi, i cili u kërcënua në Shqipëri sepse bëri emisionin mbi përfshirjen e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri në trafikun e drogës.
Menjëherë pas publikimit të reportazhit, Kryeministri Edi Rama sulmoi gazetarët italianë për këtë ‘turp gazetaresk’ dhe kërkoi reagim nga Guarda Di Finanza.
Dy ditë më pas, RAI3 i kushtoi një tjetër kronikë narkotrafikut në Shqipëri, përmes intervistimit të ish-oficerin e antidrogës Dritan Zaganin për çështjen Tahiri-Habilaj.