Në një postim të gjatë të mbushur me propagandë dhe me sulme ndaj opozitës si kundërpërgjigje ndaj akuzave të bëra për negociimin në mënyrë të fshehtë të marrëveshjes së detit, Kryeministri Rama ka sqaruar se:
1 – Ai nuk ka folur asnjëherë me Kryeminsitrin grek në lidhje me marrëveshjen e detit. Kryeministri sqaron se nuk e ka bërë këtë gjë në asnjë nga bisedat dhe telefonat që ka pasur me Mitsotakis:
“Nuk kemi folur ende për këtë çështje, as kur jemi ulur në takimin e parë në New York, as kur jemi ulur në takimin e dytë në Athinë dhe as në ndonjë rrethanë tjetër, kur jemi takuar në këmbë apo kemi komunikuar në telefon”.
2 — Qeveria Shqiptare dhe greke nuk kanë biseduar asnjëherë për këtë çështje pas ardhjes në pushtet të Mitsotakis, në korrik 2019.
“Qeveria jonë dhe qeveria greke nuk kanë biseduar asnjëherë dhe nuk kanë këmbyer asnjë opinion për këtë çështje, qyshse në krye të punëve në Greqi ka ardhur zoti Micotaqis”.
3 — Të gjitha bisedimet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë zhvilluar me qeverinë e mëparshme pa arritur një marrëveshje përfundimtare.
“Negociatat për arritjen e një marrëveshjeve për të ashtuquajturin delimitim të ujërave mes Shqipërisë e Greqisë, i kemi zhvilluar me qeverinë e mëparshme greke dhe marrëveshja nuk është arritur të mbyllet”.
4 —Grupi negociator i emëruar nga presidenti i Republikës për marrëveshjen e detit tashmë është i paplotë për shkak të ndryshimit të pozicioneve të disa anëtarëve të zgjedhur në të për shkak të detyrës. Para se të nisin negociatat grupi duhet të ndryshohet dhe kjo bëhet vetëm me miratimin e presidentit të Republikës.
“Grupi ynë negociator për çështjen e detit ka nevojë për ndryshime, pasi disa anëtarë të tij janë larguar nga pozicionet që mbulonin kur janë zgjedhur në grupin negociator.
Këto ndryshime do të bëhen nëse do të rinisin negociatat dhe këto ndryshime nuk bëhen pa miratimin nga Presidenti të anëtarëve të rinj – jashtë grupit negociator askush, as kryeministri, nuk negocion dot asgjë dhe nuk shet e as blen dot asnjë litër ujë deti”.
Nga ana tjetër Kryeministri Rama ka shprehur vulllnetin e tij për ta zgjidhur çështjen me Greqinë si një hap i domosdoshëm për marrëdhëniet, me vendin që e konsideron një nga tre aleatët strategjik sëbashku me Italinë dhe Turqinë.