Rama, avokati i partisë-shtet

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Rama, avokati i partisë-shtet

Ndjenjat autoritare janë përhapur me shpejtësi në rajon. Më 16 prill, në Turqi do të mbahet refendum, propozuar nga Presidenti Erdogan, për ndryshimet kushtetuese që do ta kthenin vendin në diktaturë, nën emrin e republikës. Në Maqedoni, refuzimi i vazhdueshëm i presidentit Ivanov për t’i dhënë Zoran Zaev të drejtën për të formuar qeveri – nën pretekstin e mbrojtjes së unitetit të vendit – e ka sjellë vendin në një krizë të thellë politike. Ndëkohë në Bullgari, kreu i Partisë Socialiste po sulmon haptazi demokracinë.

Në Shqipëri, Kryeministri Rama, kohët e fundit, ka bërë komente që tregojnë mungesë të thellë të njohjes së parimeve bazë të demokracisë. Në një takim me grupin parlamentar të PS-së, Kryeministri Rama deklaroi se PS do të hyjë në zgjedhje edhe nëse do të jetë e vetmja kandidate.

Partia Socialiste do të futet në zgjedhje edhe sikur të gjitha partitë e tjera të mos e bëjnë një gjë të tillë. Nuk do të ketë shtyrje të datës së zgjedhjeve, nuk do të ketë qeveri teknike. Me Saliun apo pa Saliun, me Lulin apo pa Lulin, në koalicion ose të vetëm, ne do të futemi në zgjedhje më 18 qershor.

Zgjedhjet do të mbahen. Në zgjedhje nuk hyjmë as për Saliun dhe as për Lulin, por për 1 milion shqiptarët që na votuan në 2013 e që sot janë shumë e më shumë.

Sikur askush të mos dojë të hyjë në zgjedhje, PS do hyjë në zgjedhje dhe do të marrë të 140 deputetët e Kuvendit e me votat e saj do kalojë vetingun dhe çdo ligj tjetër të Reformës në Drejtësi.

Këto deklarata duhet të jenë shqetësuese për ata që janë sado pak të interesuar për parimet demokratike. Me këto deklarata, demokracia kthehet në monopol të më të fortit, të atij me më shumë vota. Kur flitet për zgjedhje demokratike nuk do të thotë t’i japësh fituesit pushtet absolut për katër vitet e ardhshme. Zgjedhjet zhvillohen për të bërë sa më të lehtë përfaqësimin e grupeve të ndryshme të popullsisë në parlament, si baza e mirëqeverisjes së vendit.

Duhet theksuar se PS nuk fitoi shumicën absolute në zgjedhjet e 2013-ës. PS fitoi 713,407 vota, më pak se 50 përqind e votuese, ndaj Rama nuk mund të jetë përfaqësuesi i vetëm i gjithë popullit.

Demokracia nuk është një sistem darvinian ku vetëm shumica ka të drejtën për tu riprodhuar. Demokracia si sistem mund të funksionojë vetëm nëse qeveria kujdeset dhe për pakicat dhe të drejtat e tyre, qofshin ato ekonomike, sociale, politike, etnike, kulturore.

Demokracia nuk është të shqetësohesh vetëm për më të fortin, duhet të shqetësohesh edhe për të drejtat e më të dobëtit, këta të fundit në disa raste nuk kanë as mundësinë për tu përfaqësuar.

Një demokraci e vërtetë i jep zë dhe fuqi të pafuqishmit. Është e vërtetë se opozita aktualisht është në kaos, por kjo nuk do të thotë se duhet shtypur e shkatërruar njëherë e përgjithmonë.

Fatkeqësisht duket se Kryeministri Rama mendon se ai është përgjegjës vetëm për dy grupe: një grup deputetësh, zyrtarësh e burokratësh të zgjedhur prej tij dhe 713 407 shqiptarë që votuan për PS-në në vitin 2013. Në fakt, për grupin e dytë duket se gjithnjë e më tepër po e humbet interesin.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>