Kryeministri Edi Rama deklaroi se plagosja e sekretarit të zyrës së Partisë Demokratike në Kavajë nuk ka lidhje me Partinë Socialiste dhe autori është militant i PD-së.
Përmes një postimi në Twitter, Rama shkruan se PD ka faj vetëm për politizimin e ngjarjes.
“Është krejt e qartë që ngjarja e Kavajës s’ka asnjë motiv politik! Autori s’ka asnjë lidhje me PS, përkundrazi është militant i PD! PD s’ka faj për ngjarjen po për politizimin skandaloz! Lulëzim bëhu burrë, ndahu nga Iliri e Saliu, boll bëre kukullën e të paudhëve pa din e iman!”, shkruan Rama.
Sekretari i PD-së së Kavajës u plagos me armë të hënën rreth orës 19:00, në lagjen nr.4, në Kavajë, në zyrat e PD-së.
Sipas policisë ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta.
Kreu i PD, Basha ka fajësuar Ramën dhe sulmin e cilësoi me prapavijë politike ndërsa autorët i quajti “militantë të PS-së”.
Presidenti Meta dënoi aktin dhe i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama të reflektojë dhe të shkojë në SPAK të rrëfehet.