Kryeministri Rama dhe kryetari i opozitës Basha janë përplasur me njëri-tjetrin në Twitter ,në lidhje me masat ekonomike që duhet të merren për të ndihmuar qytetarët dhe bizneset në krizën e koronavirusit.
Fillimisht Lulzim Basha akuzoi qeverinë se në 2 javët e fundit ka dhënë 52 milion euro pagesa dhe tendera korruptivë për miq dhe klientë pranë Ramës, para që mund të kishin shkuar tek qytetarët në këto momente të vështira bllokimi total nga koronavirusi.
Në një postim në Twitter, Basha propozoi dhe mënyrën se si këto fonde mund të ishin përdorur në paketën e ndihmës social-ekonomike për qytetarët dhe biznesin, të propozuar nga Partia Demokratike.
Këtyre akuzave, kryeministri Rama iu përgjigj me tallje duke e krahasuar Bashën me aktorët e emisionit të humorit Portokalli.
Duke kujtuar një gabim në llogaritje të Bashës në Kuvend, Rama shkroi:
“Plani 7×7=42 është zgjuar sot me rritje të shifrave! Deri kur të mbarojë lufta shifrat do kapin nivelin e një vendi të G7-ës! Pritet shifra e parashikuar nga Plani për aktorët e Portokallisë, meqë janë mbyllur në shtëpi ndërkohë që po u bëhet konkurencë e pandershme nga 7×7=42!”
Basha iu kundërpërgjigj Ramës në Twitter duke shkruar se kryeministri në vend që të kalojë mënjeherë pagesat e PPP-ve për oligarkët në shërbim të qytetarëve, merret me sulme ndaj opozitës:
“Sa keq për çdo shqiptar kur kryeministri në vend që të japë MENJËHERË 120 milion eurot e ppp-ve për shëndetin dhe bukën e gojës së mijëra familjeve, merret gjithë ditën me sulme kundër opozitës dhe bëhet mburojë e vjedhjeve dhe korrupsionit të oligarkëve dhe tenderave të luksit.”
Pak ditë më parë, Rama e Basha sulmuan sërish njëri-tjetrin me postime në rrjetet sociale në lidhje me masat për të ndalur përhapjen e koronavirusit.