Presidenti Ilir Meta kujtoi të dielën në 553 vjetorin e vdekjes së tij Gjergj Kastriot Skënderbeun duke u shprehur se ai është “shqiptari më i gjallë ndër shqiptarët e gjallë”.
Në një shënim në Facebook, Meta tha ai do të mbetet gjithmonë ylli polar i kombit tonë.
Presidenti e ka cilësuar Skënderbeun si Hero të Europës së Bashkuar:
“Gjergj Kastrioti Skënderbeu, do të mbetet përgjithmonë ylli polar i kombit tonë, simboli më përbashkues, që diti të na unifikojë në një Besëlidhje të Madhe, kur qenia jonë ishte më e rrezikuar se kurrë, “shqiptari më i gjallë ndër shqiptarët e gjallë”, përcaktuesi kryesor dhe pasaporta më dinjitoze e përkatësisë sonë europiane, Heroi ynë Kombëtar dhe i Europës së Bashkuar. Krenaria, frymëzimi, fuqia dhe lavdia jonë”.
Po ashtu edhe Kryeministri Edi Rama përkujtoi të dielën Skënderbeun. Rama publikoi një video në Facebook nga Memoriali i Skënderbeut në Lezhë duke thënë:
“Ky i fundit është varri më madhështor i Gjergj Kastriotit Skënderbeut, i cili vdiq në 17 Janar të 1468-ës, dhe u varros në këtë vend, aty ku ai kish themeluar “Besëlidhjen e Lezhës” në mars të 1444-ës”.