Rama: Do miratojmë sigurimin e detyruar të banesave dhe bizneseve

Rama: Do miratojmë sigurimin e detyruar të banesave dhe bizneseve

Kryeministri Rama lajmëroi qytetarët se së shpejti do të bëhet i detyrueshëm me ligj sigurimi i banesës dhe biznesit. Duke marrë shkas nga përmbytjet dhe dëmet që reshjet e shiut shkaktuan ditët e fundit, gjatë mbledhjes së Komitetit të Emergjencave, Zoti Rama deklaroi:

 “Jemi i vetmi vend që nuk e ka këtë detyrim me ligj në një kohë kur buxheti i shtetit nuk është në gjendje të dëmshpërblejë.”

Megjithëse duket si një nismë ligjore që lidhet me situatën e ditëve të fundit, sigurimi i detyrueshëm i pronës dhe biznesit nuk është diçka e re.

Në shtator të vitit 2017, Autoriteti i Monitorimit Financiar i drejtuar nga ish-deputeti socialist Ervin Koçi, dha lajmin se qeveria ka pregatitur  një projekt-ligj për të bërë të detyrueshëm sigurimin e pronës nga rreziqet natyrore dhe se projekligji i përfunduar po diskutohej me Bankën Botërore.

Projektligji përfshinte sigurimin e pronës nga rreziqet natyrore si tërmetet dhe përmbytjet.

Nëse projekti bëhet realitet, çdo pronar duhet të paguajë të paktën 7 mijë lekë (50 euro) për sigurimin vjetor të pronave, përveç taksave lokale mbi to. Megjithatë siç ka treguar dhe tregu i sigurimit të detyrueshëm të automjeteve, pas sanksionimit me ligj, çmimi mund të rritet në rast se kompanitë e sigurimit bien dakord mes tyre.

Kjo nismë e qeverisë, që në tetor, u kundërshtua nga studiues e ekonomistë.

Zef Preç, ekspert i ekonomisë, gjatë një interviste për Tv Klan në muajin tetor, tha se nisma e qeverisë “është një taksë e re për qytetarët dhe favorizim i disa kompanive”.

“Në vend që qeveria të bëjë për 5-10 vjet zhvendosje të popullsisë, synon të vërë një taksë të re që varfëron më tej qytetarët. Synohet thjeshtë të shtohen të ardhurat e kompanive, duke marrë parasysh risqet se sa ndodhin tërmetet e përmbytjet.”

Në kundërshtim me pretendimin e Kryeministrit Rama se “jemi i vetmi vend në botë që se kemi sigurimin e banesave të detyrueshëm”, Zoti Preçi shprehet:

“Edhe në zonat më problematike, sigurimi është vullnetar. Edhe në ato vende që është bërë [i detyrueshëm] vetëm 10 për qind është mbledhur.]”

Pyetur nëse sigurimi i detyrueshëm është zgjidhje e dëmshpërblimeve të familjeve që përmbyten, Zoti Preçi shpjegoi se kompanitë e sigurimeve kanë ende borxhe të papagura ndaj qytetarëve për sigurimin e automjeteve:

“Janë 10 milionë Euro të papaguara që nga 2002 nga kompanitë.”

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>