
Ende nuk ka një datë për mbajtjen e konferencës ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së. Kështu u shpreh Kryeministri Edi Rama i ftuar në emisionin Politiko ON të gazetarit Alfred Lela.
Ai tha se vendimi për hapjen ose jo të konferencës nuk varet nga Shqipëria por nga politikat e brendshme të vendeve të BE-së:
“Vendimi për mbajtjen ose jo të konferencës nuk lidhet me atë çfarë bëjmë ne por nga axhenda e një vendi. Në vendimarrje luan rol narrativa e brendshme e një vendi”.
Rama tregoi se vendet kryesore që po bllokojnë vendimin për konferencën ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Hollanda dhe Bullgaria kanë zgjedhje parlamentare në mars:
“Hollanda nuk e do këtë punë, për shkak se ka zgjedhje. Bullgaria ka zgjedhje”.
BE i ka kërkuar Shqipërisë plotësimin e dy kushteve — ngritjen e dy gjykatave të larta dhe miratimin e ligjit zgjedhor me dakordësi — për mbajtjen e Konferencës ndërqeveritare.