Rama për Forbes-in: Falë kufizimeve të marsit, Shqipëria më pak e prekur nga Covidi

Nga Exit News
Rama për Forbes-in: Falë kufizimeve të marsit, Shqipëria më pak e prekur nga Covidi

Kryeministri Rama vlerësoi shumë pozitivisht masat e marra nga ai në mars kundër përhapjes së Covid-19, gjatë një interviste për revistën Forbes, në Francë.

Pyetur nga gazetari se çfarë masash ka marrë qeveria shqiptare për të për të mbështetur ekonominë dhe qytetarët, Rama tha se falë masave të tij, Shqipëria është ‘një nga vendet më pak të prekura nga Covid-19’. Duke folur për masat e marra në mars, Rama tha se ‘Shqipëria u mbyll shumë para të tjerëve’:

“Ne e vlerësuam shumë shpejt rëndësinë e situatës duke ndjekur nga afër përkeqësimin e gjendjes shëndetësore te fqinjët tanë italianë. U mbyllëm para shumë të tjerëve.

Mbyllja e kufijve dhe pasja nën kontroll e gjithçkaje ishte një sfidë e vërtetë!

Përtej çështjes së paprecedent të shëndetit publik, ne nuk kemi dashur të braktisim projektet tona kryesore ekonomike. Në drejtim të modernizimit të infrastrukturës sonë dhe rindërtimit sepse, sa për kujtesë, Shqipëria u dëmtua në mënyrë dramatike nga një tërmet i nëntorit të vitit 2019.

Gjatë kësaj periudhe, qeveria jonë vazhdoi të paguante qiratë e popullatës së prekur që duhej të zhvendosej, të financonte rindërtimin e 100 shkollave apo edhe disa prej thesareve tona të trashëgimisë kulturore, të dëmtuara seriozisht. Gjatë izolimit, ne gjithashtu u përqendruam te bizneset duke subvencionuar papunësinë dhe duke mbështetur bizneset e vogla. Këto investime të drejtuara mirë na kanë lejuar të jemi të qetë.”

Rama nuk foli për asnjë prej masave kufizuese të marra prej shtatorit, e cilësuar si vala e dytë e përhapjes së Covid-19, periudhë prej së cilës vendet në gjithë botën kanë rifilluar vendosjen e masave të ashpra kufizuese, madje deri në karantinim të plotë. Teksa shumë  vende sot janë në karantinë të plotë, Shqipëria është mes vendeve me masat më të lehta kufizuese, teksa numri i të infektuarve dhe viktimave po rritet çdo ditë.

Duke folur për integrimin europian të Shqipërisë, Rama përsëriti qëndrimin e tij të njohur tashmë, se pavarësisht hapave pozitivë të Shqipërisë, BE gjendet në ‘një kontekst shumë të ndërlikuar në nivelin global dhe europian.’

Po ashtu, Rama la të nënkuptohej se Shqipëria po kërkon të zgjedhjë BE-në dhe jo fuqi të tjera si Rusia apo Kina:

“Ne shqiptarët jemi të rrethuar nga vendet që i përkasin të 27-ëve, në fakt thirrja jonë është të vendosim të ardhmen tonë në këtë bashkim. Unë nuk dua ta shoh Shqipërinë të bëhet një objekt zilie për aktorët e fuqishëm që veprojnë jashtë kufijve europianë. Fuqi, të cilat, për më tepër, nuk ndajnë të njëjtat standarde të demokracisë si BE.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>