Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor do t’i propozojnë Komisionit Evropian të mos përjashtohen nga importi i mallrave shëndetësore në këtë periudhë pandemie të koronavirusit.
KE vendosi sot që të kufizojë eksportet e produkteve mjekësore me vendet jo-anëtare të BE-së, vendim që prek edhe Shqipërinë.
Në një deklaratë të shpërndarë në Facebook, Kryeministri Rama pohoi se kishte kontaktuar në telefon Presidenten e KE-së, Ursula von der Leyen, biseda me të cilën u shty – me kërkesë së saj – për një orë më vonë.
Rama pohoi se nuk kishte mundur t’i shprehte të gjitha shqetësimet rreth kësaj çështjeje, por që gjithçka do të adresohej më konkretisht përmes një nisme rajonale:
“[…] BE nuk duhet ta përjashtojë Ballkanin nga aksesi tregtar me këto mallra [shëndetësore]. Ne kemi përgatiur një nismë rajonale gjashtë vendet e Ballkanit drejt BE-së, të cilën do t’ia paraqesim së shpejti”.
Ditët e fundit në farmacitë e vendit është vënë re mungesë e maskave, dorezave mjekësore dhe dezinfektantëve.
Kryeministri u shpreh se gjithashtu do t’i kërkonte Presidentes Von der Leyen që fondet e premtuara për rindërtimin e Shqipërisë nga tërmeti të mos ndryshojnë destinacion.