Rama gati të miratojë listat e hapura e heqjen e koalicioneve, pa dakordësinë e opozitës jashtëparlamentare

Nga Exit News
Rama gati të miratojë listat e hapura e heqjen e koalicioneve, pa dakordësinë e opozitës jashtëparlamentare

Kryeministri Rama ka shprehur edhe një herë se shumica socialiste do të vazhdojë me procesin e miratimit të hapjen së listave zgjedhore dhe ndalimin e koalicioneve elektorale të tanishme.

Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Politik, e cila u bojkotua nga PD dhe LSI, Rama ka përsëritur se pikat e dakordësuara me opozitën jashtëparlamentare do të miratohen nga Kuvendi, por kjo nuk e pengon Kuvendin të miratojë ndryshime të tjera.

Kryeministri ka thënë se vendi i opozitës jashtë-parlamentare është këshillues dhe roli i saj në procesin e reformës zgjedhore tashmë ka mbaruar. “Këshilli Politik e ka përmbushur misionin e tij me marrëveshjen e 5 qershorit,” tha ai duke shtuar se tani i takon Kuvendit që të plotësojë dhe përfundojë reformën zgjedhore.

Ai ka kritikuar qendrimin e opozitës që e quan Kuvendin jolegjitim dhe që kërkon që çdo gjë të miratohet në Këshillin Politik pa i dhënë të drejtë Kuvendit që të miratojë element shtesë. “Mos ekzistenca imagjinare e Kuvendit nga ana e opozitës jashtëparlamentare nuk e bën vendin pa parlament,” është shprehur Rama.

“Ne nuk jemi në kushtet e ndonjë shtrëngese apo ndonjë halli për të ecur përpara me reformën, tani kemi edhe dakordësinë me opozitën parlamentare” ka pohuar Rama, duke shtuar se “kushtetueshmërisht, me ligj dhe me zakon nuk kemi ndonjë hall të posaçëm” për të miratuar reformën.

Në lidhje me elementët e tjera që janë dakordësuar në Këshillin Politik për ndryshimet që lidhen me parandalimin e vjedhjes së votës, si Rama ashtu edhe Gjiknuri kanë pohuar se ato do të miratohen njësoj siç janë dakordësuar.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme