Kryeministri Rama hodhi poshtë të gjitha akuzat e opozitës në lidhje me kontratat sekrete, çmimin e maskave, skadencën e tyre, si dhe pagesën ndaj individëve dhe bizneseve të prekura nga pandemia e COVID-19.
Në një video të publikuar në Facebook, ai shfaqet duke ironizuar deklaratat e Partisë Demokratike në çështjet e mësipërme.
Partia Demokratike akuzoi më parë qeverinë se po ka miratuar katër tendera sekrete për blerje të pajisje testesh mjekësore në QSUT, për trajtim dhe asgjesim të mbetjeve spitalore të QSUT dhe blerjen e dy respiratorëve të rinj, për të përballuar krizën e koronavirusit dhe se ende nuk janë bërë publike.
Në video, Rama shkruan se nuk kemi të bëjmë me tendera sekrete, dhe as kontrata sekrete, por me kontrata për interes thelbësor, të cilat sipas tij janë publike.
Në lidhje me akuzën e PD se çmimi i maskave të blera nga qeveria është 6.5 eurosh, Rama shkruan se çmimi i tyre është 4.14 euro.
PD akuzoi qeverinë se kishte blerë veshje spitalore mbrojtëse me 28 euro, trefishin e çmimit real. Rama pohoi se qeveria i ka blerë këto veshje me çmim 14.6 euro.
Në lidhje me akuzat për skadencën e maskave, Rama tha se këto maska skadonin në 2023, jo në 2014 sikurse e akuzoi PD.
Në lidhje me akuzat e kryetarig të PD-së për mungesë të mbështetjes financiare të personave dhe bizneseve, Rama pohoi se nga paketa e parë ekonomike kanë përfituar 63 510 familje dhe 53 842 punonjës në biznesin e vogël.