Ministria e Jashtme ka biseduar me ambasadorin serb në Tiranë, pas deklaratave të ministrit të jashtëm serb, kundrejt Shqipërisë.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama njoftoi pas konferencës për shtyp se “nuk do të tolerohet asnjë ofendim nga përfaqësuesit e qeverisë serbe”.
“Ministria për Punët e Jashtme të Shqipërisë ka vazhduar më tutje me procesin, ambasadori i Serbisë është thirrur apo do të thirret, për t’i bërë me notë verbale vënien në dijeni të shtetit serb se asnjë gojë e shthurur në qeverinë e Serbisë nuk mund të lëndojë qeverinë e Shqipërisë, apo figurën e një ministri apo kryeministrit të Shqipërisë”, u shpreh Rama.
Ministri serb pak ditë më parë komentoi deklaratën e kryeministrit Edi Rama në konferencën e përbashkët të zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, pas mbledhjes së dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë.
Kryeministri shqiptar tha në konferencë që Porti i Durrësit do të jetë “de facto” port i Kosovës. Ministri Vulin, pas kësaj deklarate kishte thënë se që Rama po punon për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”.
“Duke deklaruar se Porti i Durrësit do të jetë i Kosovës, Edi Rama vazhdon të punojë për krijimin e ‘Shqipërisë së Madhe’”, kishte thënë Vulin duke i bërë thirrje BE-së që të reagonte pasi një gjë e tillë është kërcënim për paqen.
Përmes një deklarate të dytë, ministri serb i Mbrojtjes u shpreh se kryeministri i Shqipërisë do të mbahet mend më shumë për “çorapet e grisura” se sa për zhvillimin e ideve të ndritura dhe se Rama nuk ka “tru mjaftueshëm”.
Publikuar në Radio Evropa e Lirë