“Në 30 qershor do të bëhen zgjedhjet në gjithë territorin e Shqipërisë.
Përpjekja për t’i rënë ndesh zgjedhjeve, për të krijuar konflikt dhe kthyer Shqipërinë mbrapa nuk ka asnjë shans.”
Kështu deklaroi Kryeministri Rama sot nga Finiqi, ku po vazhdon fushatën në shkelje të dekretit të Presidentit Meta.
Duke prezantuar kandidatin socialist për bashkinë e Finiqit, Rama u shpreh:
“Me 30 qershor këtu do të fitojë Kristaqi. Ne e dimë rezultatin përpara jo se bëjmë ato për të cilat akuzohemi, por jemi shumë të organizuar dhe punojmë vazhdimisht.”
Rama siguroi mbështetësit e tij se më 30 qershor nuk do të ketë rrëmuja apo përplasje, ndaj ata duhet të shkojnë të votojnë:
“Jam i bindur se 30 qershori do të jetë një ditë normale, edhe sikur të ketë shfaqje sporadike dhe orvatje të dëshpëruara ato do të jenë të pafuqishme për ta bllokuar 30 qershorin nga një ditë kur duhet të flasë populli në një ditë kur imponohet një pakicë derdimenësh, të verbërish dhe të humburish që kanë humbur busullën.”
Ndërkohë opozita e bashkuar ka lajmëruar se duke filluar nga e hëna, 24 qershor e deri më 30 qershor, do të ketë protesta të përditshme.
Ky vendim u mor pas takimit të Bashës me aleatët pas protestës së nëntë kombëtare, zhvilluar dje më 21 qershor.
Basha dhe aleatët e tij vendosën, se duke nisur nga e hëna, ata do të revokojnë listat e zgjedhësve.