Kryeministri Rama i kërkoi sërish sot kryetarit të opozitës Basha të dialojnë për të zgjidhur krizën politike. Megjithëse Rama shkruan se është i hapur për “dialog pa kushte” me opozitën, ai shprehet se shtyrja e zgjedhjeve të 30 qershorit nuk është e mundur.
Rama e quan brutal, refuzimin që Basha i bëri letrës së djeshme, por shkruan se si kryeministër I vendit ka për detyrë të këmbëngulë “në të vetmen rrugë që njeh demokracia, Dialogun”.
Në letrën bërë publike përmes Facebookut, Rama shkruan:
“Përsëri Ju bëj publikisht thirrje: Ejani të ulemi në Tryezën e Dialogut! Pa kushte dhe pa humbur kohë.
Fushata e zgjedhjeve nis zyrtarisht në 31 maj dhe ditët e numëruara që kanë mbetur, duhen shfrytëzuar për dialog politik, jo humbur me kërcënimet e dëshpërura dhunënxitëse që nuk Ju turpërojnë vetëm Juve, po edhe vendin tonë e të gjithëve ne bashkë me të.
Duke Ju garantuar se jam në dispozicionin Tuaj, në çdo moment dhe pa kushte për një Dialog për Shqipërinë, si edhe duke Ju siguruar se sikur të tërë të dëshpëruarit nga Reforma në Drejtësi të hidhen përpjetë, nuk kanë për të ndalur dot as zbatimin e Reformës në Drejtësi, as zhvillimin e zgjedhjeve në 30 qershor, uroj rikthimin Tuaj sa më të shpejtë në rrugën e arsyes.”