Pas drejtorëve të hipotekave, Kryeministri Rama i ka kërkuar dorëheqjen të gjithë drejtorëve të spitaleve rajonalë e bashkiakë. Gjatë një mbledhje në kryeministri me drejtuesit e spitaleve, Zoti Rama i ka quajtur ata “përgjegjësit kryesore moralë për keqmenaxhimin dhe papastërtitë në spitalet që drejtojnë”.
“Niveli i menaxhimit i spitaleve tona është i papranueshëm. Mjekët kanë përgjegjësinë e tyre por është detyra e menaxhimit t’i motivojë.
Spitalet tona mund të mos kenë infrastrukturën që synohet, por ama asgjë nuk e justifikon dhe e kapërcen dot ndjenjën e turpit për shtetin që spitalet të mos jenë shembuj pastërtie e higjiene. Kjo është A-ja për çdo mjedis të shërbimit publik.
Territore spitalesh pis, mjedise spitalesh pis. Pastëria nuk kanë nevojë as për para, as për infrastrukturë as për plane. Tek niveli i higjienës, pastërtisë, apo gadishmërisë së personelit jemi jo 27 vjet por 270 vjet prapa. Prandaj unë dua që ju të më mirëkuptoni e të jepni dorëheqjen.”
Sipas kryeministrit Rama, largimi i drejtorëve nuk është zgjidhja e problemit të keqmenaxhimit, por është një fillim që do të çojë në autonominë e spitaleve.
Gjithsesi Kryeministri Rama veçoi dy raste suksesi në menaxhimin e spitaleve:
Drejtuesin e QSUT-së Enkel Jotin të emëruar në mars të 2017-ës, emërimi i të cilit u komentua gjerësisht në media si kthim favoresh duke qenë se Joti ka shërbyer administrator i Top Channel, medias që e ka mbështetur gjithmonë Ramën.
Drejtuesin e spitalit “Shefqet Ndroqi”, njohur ndryshe si Sanatoriumi, Perlat Kapisyzin, i cili është bashkëshorti i zëvendësministres së Shëndetësisë zonjës Mira Rakacolli. Kjo e fundit ishte në krah të Kryeministrit Rama gjatë mbledhjes së djeshme.