Kryeministri Edi Rama duket se kërkon hartimin sa më shpejtë të ligjit që kufizon të drejtat e pozicionit të presidentit.
Sipas burimeve nga mbledhja e grupit parlamentar të PS-së, Rama i ka kërkuar deputetëve që po punojnë për draftligjin, të veprojnë sa më shpejtë.
Anëtarët e grupit të punës janë Adnor Shameti dhe Vasilika Hysi nga PS-ja si dhe Alban Zeneli nga grupi parlamentar Demokrat.
Shumica socialiste kishte parashikuar ndryshimet në ligjin për Presidentin, në vitin 2016, si pjesë e paketës së Reformës në Drejtësi, por këto ndryshime nuk u miratuan asnjëherë.
Tani 4 vjet më vonë — pasi Presidenti Meta nuk dekretoi propozimet e Kryeministrit Rama për ministër, nuk thirri për betim një nga anëtaret e zgjedhura nga Kuvendi për Gjykatën Kushtetuese dhe ndryshoi datën e zgjedhjeve vendore — shumica socialiste ka vendosur të hartojë një ligj të ri.
Adnor Shameti, në një intervistë për Report Tv, më 11 shtator tha se projekligji do të sqarojë në detaje veprimtarinë kushtetuese të presidentit, duke adresuar pikërisht problemet e krijuara ndërmjet qeverisë dhe presidentit.
“Kompetencat e presidentit do t’i shohim si në nivelin kushtetues ashtu dhe në harmonizimin e plotë të elementëve që do ketë ligji për organizimin e institucionit të presidentit dhe ligji kushtetues nga ana tjetër”, tha Adnor Shameti.
Shameti tha se do të ndryshojë edhe kompetenca e presidentit për të dekretuar një ministër, datën e zgjedhjeve, apo për betimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.