Rama kundër qëndrimit gjerman e holandez: Shqipëria ka plotësuar kushtet, hapen negociatat

Rama kundër qëndrimit gjerman e holandez: Shqipëria ka plotësuar kushtet, hapen negociatat

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet e vëna nga Bashkimi Europian, ndaj në maj Komisioni Europian do të rekomandojë hapjen pa kushte të negociatave:

“Shqipëria ka ecur para dhe progres raporti në fund të majit do të rekomandojë pa kushte hapjen e negociatave. Rikonfirmimi i rekomandimit pa kushte, është edhe rikonfirmim pa kushte i një të vërtete të thjeshtë: Shqipëria i ka plotësuar të gjitha detyrat për të çelur negociatat për anëtarësim me BE.”

Deklarata e Kryministrit Rama bie ndesh me të gjithë deklaratat e bëra së fundmi nga zyrtarë të lartë europianë, të cilët theksojnë se duhet të ketë rezultate të qarta për përmbushjen e pesë kushteve kryesore: reforma në drejtësi, lufta ndaj krimit të organizuar e pastrimit të parave, lufta ndaj korrupsionit, reforma në administratë shtetërore dhe respektimi i të drejtave të njeriut.

Përveç kushteve që janë bërë publike prej 3 vitesh tashmë, muajt e fundit zyrtarët e BE-së kanë theksuar nevojën, si kusht të ri, për miratimin e reformës zgjedhore dhe zbatimin e saj për zgjedhjet lokale 2019.

Në tetor 2018, Parlamenti Europian publikoi deklaratën e miratuar nga Komisioni i Asociim-Stabilizimit Shqipëri –BE, e cila qartazi shprehu:

“Të gjitha partitë duhet të kontribuojnë për të miratuar reformën zgjedhore përpara zgjedhjeve të 2019-ës; zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë një element thelbësor i procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE;”

Po ashtu, pak ditë më parë Komisioneri për Zhvillim Johannes Hahn tha se Komisioni Europian do të hetojë kontratat e Partneriteteve Publike-Private të dhëna nga qeveria, pasi “dhënia e kontratave publike në respektim të së drejtës së barazisë është detyrim i MSA-së dhe Organizatës Botërore të Tregtisë, ndaj dhe është një nga objektivat kyçe të vlerësimit [të progresit të Shqipërisë].”

Për më tepër, deklarata e Kryeministrit Rama duket e pabazë, pasi prej muajsh deputetë holandezë e gjermanë kanë shprehur qartë se qeveritë e vendeve të tyre nuk do të votojnë për hapjen e negociatave me Shqipërinë së shpejti, pasi kanë vlerësuar se vendi nuk ka plotësuar kushtet e vëna nga BE.

Kështu, Holanda dërgoi në maj 2018 një grup deputetësh për të parë nga afër ecurinë e reformave. Në fund të vizitës, deputetët u shprehën se Shqipëria ende nuk është gati për hapjen e negociatave, pasi nuk ka përparim konkret në plotësimin e kushteve. Për më tepër, ata ngritën një tjetër shqetësim: rritjen e kriminalitetit shqiptar në Holandë, i cili është një faktor shqetësues dhe nuk ndihmon aspak në procesin e integrimit evropian.

Gjermania po ashtu ka shprehur qartë se nuk do të mbështesë asnjë hapje negociatash për vendet e Ballkanit Perëndimor, nëse nuk shikon përparime konkrete në luftën kundër krimit e korrupsionit, formimin e shtetit të së drejtës apo në reformat e ndryshme.

Komisioni Europian pritet të paraqesë raportin e radhës për përparimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshi Shqipërinë, në javët në vijim. Në raport, KE-ja i jep Parlamentit Europian dhe Këshilli Europian rekomandimet për secilin shtet kandidat, por më pas janë këto dy institucione që vendosin për miratimin, ndryshimin apo hedhjen poshtë të rekomandimeve të Komisionit Europian.

Bazuar në raportin e vitit 2018 të Komisionit Europian dhe më pas të vendimit të Parlamentit e Këshillit për moshapjen e negociatave pa kushte me Shqipërinë, si dhe në skandalet dhe ngjarjet e vitit të fundit, gjasat që në qershor të hapen negociatat pa kushte, siç pretendon Kryeministri Rama, janë të pakta.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>