Kryeministri Edi Rama u ankua se marrëdhëniet ndëpartiake të Partisë Kristian-Demokrate të Gjermanisë (CDU) “krijuan barrierë domethënëse në procesin e hapjes së negociatave”.
Gjatë prezantimit në mjediset e teatrit ArtTurbina të paketës ligjore “Anti KÇK”, Kryeministri Rama foli për procesin e integrimit. Ai tha se qeveria “bëri të gjitha përpjekjet për të bindur vendet anëtare” por se vendimi negativ erdhi për shkak të “një konflikti të brendshëm mes Francës, Gjermanisë dhe disa vendesh të tjera të BE-së”.
“[…] i bëmë të gjithë përpjekjet për të balancuar të gjithë efektin e baltës së hedhur ndërkombëtarisht mbi vendin tonë, duke filluar nga një vend që është kyç në procesin e negociatave që është Gjermania, ku marrëdhëniet ndërpartiake na kishin krijuar barrierë domethënëse në raport me partinë Kristian-Demokrate (CDU). Besoj se fakti që Gjermania konkludoi me një “Po!” të Bundestagut është një provë që përpjekjet tona rezultuan të suksesshme, them se na është dhënë mundësia që në mungesë të vendimit për çeljen të kemi një udhërrëfyes për të ecur përpara në procesin që vazhdon”
Zoti Rama tha se së fundmi “në Paris janë thirrur ambasadorët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Malit të Zi për të çelur një dialog lidhur me qëndrimin e Francës në raport dhe në lidhje me mënyrën se si do të avancojë proçesi i integrimit në BE”. Ai këmbënguli se ndalimi i procesit të hapjes së negociatave ishte pasojë e problemeve të brendshme të Evropës, por se pavarësisht vendimit “Shqipëria nuk ka rrugë tjetër, veç anëtarësimit në BE”.