Rama, masat kufizuese mbajtën të ulët numrin e vdekjeve nga Covid-19 në Shqipëri

Nga Exit News
Rama, masat kufizuese mbajtën të ulët numrin e vdekjeve nga Covid-19 në Shqipëri

Kryeministri Edi Rama vlerësoi të enjten se masat kufizuese kanë mbajtur numrin e vdekjeve nga Covid-19 të ulët në Shqipëri dhe se për këtë gjë do të tregohet kujdes në lehtësimin e tyre.

Kryeministri publikoi në Facebook një grafik të Our World in Data në të cilin vihej në krahasim numri i vdekjeve për 1 milionë banorë mes Shqipërisë, SHBA-ve, Italisë, Belgjikës dhe Spanjës.

“Vdekjet për 1 milionë banorë, tregojnë qartë se sa vendimtare kanë qenë shpejtësia, rreptësia dhe respektimi masivisht i masave në Shqipëri.

Të gjithë ekspertët kudo në botë, bëjnë thirrje për të mos e ulur vigjilencën dhe asnjë qeveri në botë, nuk ka një plan hapjeje pa shkallë, në varësi të kurbës!”

Sipas Our World in Data, Shqipëria ka 8.69 vdekje nga Covid-19 për 1 milionë banorë ndërsa Spanja 397, Belgjika 383, Italia 358 dhe SHBA-të 93.

Harta ilustruese e vdekshmërisë nga Covid në Evropë
Harta ilustruese e vdekshmërisë nga Covid në Evropë

Mirëpo krahasuar me vendet e rajonit, për këtë statistikë Shqipëria ka mesatare relativisht të lartë.

  1. Maqedonia e Veriut 21.6
  2. Serbia 14.55
  3. Bosnje Hercegovina 12.19
  4. Greqia 9.79
  5. Shqipëria 8.69
  6. Kroacia 8.28
  7. Mali i Zi 6.37
  8. Kosova 4.66

Kryeministri është treguar i ashpër dhe këmbëngulës në masat kufizuese.

“Ekonomia bie e ngrihet prapë, të vdekurit nuk ngjallen më, prandaj të gjithë duhet ta kenë të qartë që ne nuk do të tërhiqemi nën asnjë presion të padijes, mendjelehtësisë e vulgaritetit, të atyre që nuk duan të kuptojnë thelbin e kësaj situate dhe flasin për diktaturë e për lloj-lloj fantazish jashtë këtij realiteti krejt të pazakonshëm!”

Të enjten autoritetet shëndetësore në Shqipëri raportuan 24 persona të tjerë të infektuar me Covid-19 duke e çuar totalin në 518, prej tyre 26 kanë vdekur ndërsa 277 janë shëruar.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>