Kryeministri Edi Rama mbështeti kreun e Bashkisë Tiranë Erion Veliajn, për gjobën që i ka vendosur KQZ.
Rama tha se ajo gjobë do të sqarohet pasi Veliaj nuk bërë inagurime, duke iu referuar vizitave të tij në shtëpitë e rindërtuara. Sipas Ramës ai “nuk ka bërë propagandë por ka informuar”.
Videot që publikohen nga qeveria që tregojnë shtëpitë e rindërtuara, Rama i cilësoi si informuese dhe të nevojshme dhe tha se “nuk kanë lidhje me propagandën”.
Deklaratat kryeministiri i bëri të mërkurën gjatë një vizite në një shtëpi të rindërtuar nga tërmeti.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjobiti të martën kryebashkiakun Erion Veliaj për zhvillimin e aktiviteteve të ndaluara gjatë periudhës zgjedhore.
Gjoba ndaj Veliajt është 70 mijë lekë për shkeljet e mëposhtme:
- Kryerjen e aktiviteteve të ndaluara
- Mosraportimin e këtyre aktiviteteve
- Promovimin e aktiviteteve të ndaluara
Vendimi i KQZ erdhi pas denoncimit të LSI për vizitat e kryebashkiakut Veliaj në shtëpitë e rindërtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Veliaj tha se po gjobitet pasi po punon dhe lajmëroi se do të apelojë vendimin.
KQZ miratoi një vendim mbi aktivitetet e ndaluara, ku përcaktohet se vizitat në shtëpitë e rindëruara janë të ndaluara përveç rasteve kur fondet ose projekte kanë filluar përpara periudhës së ndaluar.