Rama mbron minishengenin: Pjesëmarrja, në interes kombëtar të Shqipërisë dhe Kosovës

Nga Redaksia
Rama mbron minishengenin: Pjesëmarrja, në interes kombëtar të Shqipërisë dhe Kosovës

Kryeministri Edi Rama tha sot me bindje se nisma për minishengenin ballkanik është e ardhmja e rajonit dhe është në interes kombëtar të Shqipërisë dhe Kosovës.

Me një postimi në Facebook, Kryeministri mbrojti sërish nismën duke iu drejtuar kritikave që e kanë shoqëruar ditëve të fundit edhe me etiketime si “tradhëtar”, apo “i shitur”.

Zoti Rama tha se përmes nismës së minishengenit shuheshin pretendimet e mundshme të Serbisë për “Shqipëri të Madhe” për rastin kur Shqipëria dhe Kosova mund të heqin kufirin mes tyre në të ardhmen.

Duke shprehur keqardhje për etiketimet si “tradhëtar”, apo “i shitur”, zoti Rama kujtoi me paralelizma vizitën e vitit 2014 në Beograd duke u munduar të gjejë të ngjashme mes tyre.

Përpara takimit të tretë për minishengenin, që u zhvillua në Shqipëri, udhëheqësit e Kosovës refuzuan njëzëri pjesëmarrjen duke e cilësuar të pavend një ftesë në rrethanat kur Serbia nuk e njeh pavarësinë dhe mohon masakrat e luftës.

Për qëndrimin pro nismës edhe pa Kosovën, Kryeministri Rama është kritikuar ashpër, por sipas tij Kosova humbet shumë nëse nuk merr pjesë në bisedime.

“[…] duke mos ardhur në tryezë Kosova nuk flet dot, nuk dëgjohet dot, nuk ndikon dot dhe as nuk fiton dot asgjë! Ndërsa piskamat tuaja ndaj meje, i dëgjoj unë jo ai! Madje askush tjetër, as Shtetet e Bashkuara e as Bashkimi Europian, që e mbështesin pa rezervë atë tryezë dhe e duan Kosovën bashkë me të gjithë në tryezë, nuk i dëgjojnë ato piskama dhe hiç aspak mirë nuk mendojnë për mungesën e Kosovës.”

Kryeministri Rama është i mendimit se nisma e minishengenit është e ardhmja e rajonit dhe se pas formimit të qeverisë së re situata dhe pozicioni i Kosovës do të ndryshojë.

“Kur të krijohet qeveria e re e Kosovës dhe të ulemi në tryezë për të vijuar bashkëpunimin, tash po e shihni vetë çka sot po ju’a shpjegoj e rishpjegoj më kot, duke marrë mbrapsht ato që hidhni mbi mua kot më kot. Dhe kur Kosova, herët a vonë, të ulet nesër njësoj si Shqipëria në atë tryezë, se s’ka kah shkon tjetër përveçse nga e ardhmja, bashkë me Shqipërinë, tash e shohim kush ka të drejtë, unë apo ju.”

Për nismën për minishengenin Kryeministri Rama është kritikuar nga opozita shqiptare, politikanët dhe akademia kosovare e shkencave, ndërsa është vlerësuar nga Presidenti serb Vuçiç.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>