Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani thotë se nuk e kishte vënë re mungesën e kryeministrit Rama kur ajo mbajti sot fjalimin e saj në Kuvend.
Osmani tha në një intervistë në Euronews, se nuk e kishte vënë re mospraninë e Ramës pasi nuk kishte lexuar mediat.
“Nuk e kam vënë re në të vërtetë, dhe nuk i kam lexuar mediat, por tani po e di,”, tha Presidentja në detyrë e Kosovës.
Më vonë Osmani dhe Rama patën një takim me dyer të mbyllura, në të cilin kryetarja e shtetit të Kosovës pohon ka diskutuar me kryeministrin për minischengen dhe kërkesën për miratimin e një rezolute të Parlamentit të Shqipërisë për gjenocidin serb në Kosovë.
“I thash ato që i kam thënë publikisht, ia kam thënë edhe në takime të mëhershme (minischengeni). Në mënyrë që një iniciativë rajonale të ketë suksese duhet të iniciohet nga të gjitha vendet. Kërkojmë gjithëpërfshirje dhe të konsultohet Kosova para se të ecet përpara. Kemi kërkuar detaje për marrëveshjen”, tha Osmani.
Kryeministri Rama ka postuar vetëm një foto nga takimi me presidenten e Kosovë duke mos dhënë detaje rreth përgjigjes së tij për kërkesat e saj.