Edi Rama, Ministër Kulture në vitin 2000, mendonte se zona nga Lidhja e Shkrimtarëve tek Rruga e Elbasanit dhe nga stacioni i trenit deri tek Universiteti, ishte qendra historike e Tiranës dhe pjesë e identitetit tonë kombëtar. Atëhere, kur Rama po fillonte më në fund karrierën politike, për të cilën kishte që në dhjetor 1990 që aspironte, ai donte të fliste si njeri i kulturës dhe interesit publik.
Edi Rama Kryeministër, 20 vjet më vonë, e shkatërron idenditetin kombëtar me fadroma.
Në një intervistë të vitit 2000 me Blendi Fevizun, Rama pohoi:
“Këto janë monumente dhe vlera që nuk bëhën më. Mund të bëjmë të reja, mund të bëjmë grataçela, por këto vlera që hyjnë në trashëgiminë tonë kulturore nuk përsëriten më. Është detyra jonë që ti ruajmë si të tilla.”
Rama ministër mendonte se është kotë të flisim vetëm me fjalë për patriotizëm dhe identitet kombëtar kur ne “qëndrojmë indiferent përpara shkatërrimi që po i bëhej përditë dëshmisë së prekshme të identitetit tonë kombëtar” në qendrën historike të Tiranës.
Për Ramën ministër kulture kjo qendër e qytetit duhet të konservohet dhe të restaurohet. Çdo projekt që do projektohet aty do duhet të marrë edhe miratimin e Institutit të Monumentit të Kulturës, propozonte ai.
Rama kryeministër 20 vjet më vonë, dëshiron që qytetarët të qëndrojmë indiferent përpara “këtij shkatërrimi që i bëhet dëshmisë së prekshme të identitetit tonë kombëtar”, sepse sot e quan zhvillim.